Qeveria gjermane tha më 12 shtator se nuk mund të ndalë dërgesat me uranium rus për centralet bërthamore franceze. Këto dërgesa përpunohen në një uzinë në Gjermani dhe më pas nisen drejt Francës, por Qeveria gjermane tha se nuk mund të ndalë dërgesat pasi karburantet bërthamore nuk janë pjesë e sanksioneve që Bashkimi Evropian ka vendosur kundër Moskës për shkak të luftës në Ukrainë.
Ambientalistët kanë kërkuar nga Gjermania dhe Holanda që të bllokojnë dërgesat me uranium, që po transportohen me anijen ruse “Mikhail Dudin” – që aktualisht është e ankoruar në portin francez Dunkirk – për në centralin përpunues në Lingen, afër kufirit gjermano-holandez.
“Ne nuk kemi bazë ligjore për të ndaluar transportin e uraniumit nga Rusia sepse në sanksionet e vendosura nga BE-ja për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, nuk përfshihen importet e karburantit bërthamor”, tha zëdhënësi i Ministrisë gjermane të Mjedisit, Andreas Kuebler, shkruan REL.
Kriteret e sigurisë për dërgesën me uranium janë analizuar dhe është gjetur se nuk ka shkelje, që do të thotë se autoritetet gjermane duhet të miratojnë lejimin e transportit të uraniumit, shtoi ai.
“Mund ta imagjinoni se ne i shikojmë në mënyrë shumë kritike këto dërgesa të uraniumit për shkak të pushtimit rus, por edhe për shkak se Gjermania në përgjithësi po heq dorë nga energjia bërthamore”, tha Kuebler për gazetarët në Berlin, duke theksuar se Qeveria gjermane po punon që të mbyllë uzinën për përpunimin e uraniumit në Lingel dhe centralin tjetër në Gronau. Centrali në Lingen operohet nga Framatome, kompani që është në pronësi nga gjiganti francez i energjisë, EDF.
Grupet ambientaliste, përfshirë edhe organizatën ruse, Ecodefence, kanë kërkuar nga shtetet evropiane që të mos blejnë më uranium nga Rusia. Këto organizata kanë përmendur edhe vendimin e marrë së fundmi nga Qeveria britanike, e cila ndaloi anijen “Mikhail Dudin” që të shkarkojë mbetje bërthamore për përpunim në afërsi të Liverpulit.
EDF, që menaxhon të gjitha centralet bërthamore të Francës, nuk ka komentuar lidhur me dërgesën e fundit me uranium nga Rusia.
As Qeveria franceze, e cila është një aksionare e madhe në EDF, nuk ka komentuar për dërgesën nga Rusia. Franca varet shumë nga energjia bërthamore për të përmbushur kërkesat e saj me rrymë, ndërkaq Gjermania po planifikon që gjatë këtij viti të mbyllë tre reaktorët e fundit dhe deri së fundmi është varur shumë nga importet e gazit rus./REL