Gjekmarkaj lavdëron Bashën: Këto 5 javë është bërë kryetar i vërtetë

Deputeti demokrat, kreu i komisionit të mediave Agron Gjekmarkaj deklaroi se Lulzim Basha është bërë kryetar i vërtetë vetëm këto 5 javët e fundit, pas përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.

Sipas tij, Basha tani e ka detyrim të flasë më shumë në lidhje me akuzat e Berishës, pas gjithë këtyre sulmeve që ky i fundit po hedh ndaj tij.

Komentet Gjekmarkaj i bëri në News 24, ku edhe ishte i ftuar.

“Ka një dialektikë të ngjarjeve në dinamikë në PD prej 5 javësh dhe ka një ligjërim të Sali Berishës që vjen kreshendo me akuza nga më të rëndat deri tek kodi moral, besëthyerja, besëprerja, pengmarrja dhe është ligjërimi asgjësues që jemi mësuar që përdor Berisha.

Në këtë aspekt kemi një dualitet, Bashë nga një anë që hesht a për çështje etike, strategjike. Por për mua ka ardhur një pikë që Basha duhet të flasë më shumë, më qartë, më me transparencë, më thellë sepse ka marrë një vendim në suazën e një konteksti gjeo-strategjik. Mbi të po derdhen shumë akuza, gjithë ata njerëz që besojnë tek Lulzim Basha sigurisht kanë nevojë të dëgjojnë diçka më tepër, diçka më shumë. Në këtë kontekst Basha e ka detyrim të flasë, të shpjegojë diçka më shumë se çka thënë në mënyrë alegorike.

Ende janë deklarata të kujdesshme. Nuk po e ftoj Lulzim Bashën të shkujdeset, por në pozitat e një njeriu që do të kuptojë dhe vetë më shumë, në pozitat e një qytetari do të dëgjojë më tepër nga Basha, jo ta ndërsejë ndaj Sali Berishës.

Kam pasur një përshtypje që Basha është kryetari real i PD-së këto 8 vite. Por duke gjykuar ngjarjet këto 5 javë, kam filluar në ndryshoj mendim. Ka qenë kryetar por i ndikuar nga Berisha. Kryetar i vërtetë ka qenë këto 5 javë. Basha është mbështetur nga Berisha në 2013, është mbështetur në 2017, në 2021, është promovuar. Nuk e di çfarë kanë folur në privat, por ato në publik. Befas, në momentin që u mor ky vendim i kushtëzuar, ka ndryshuar e gjithë konsiderata e Berishës ndaj Bashës, aksioni politik po e po dhe deklaratat janë përmbysur. Është një kontekst personal, një shtysë personale”, tha Gjekmarkaj./albeu.com