Gjatë protestës përpara Kryeministrisë, aktivisti Gent Progni ngriti akuza të forta, duke pohuar se një efektiv policie i veshur civil tentoi ta godiste me thikë gjatë tubimit të zhvilluar sot para Kuvendit. Sipas tij, presion po ushtrohet edhe mbi bizneset që mund ta kenë regjistruar ngjarjen me kamerat e sigurisë.
Progni deklaroi se dhuna kishte nisur në Zvërnec, ku, siç tha ai, ishin sulmuar nga truprojat e Ulsiut dhe u ishin fshirë regjistrimet e kamerave. Ai identifikoi si Edison Duza, oficer pranë Drejtorisë së Policisë, personin që pretendon se e tërhoqi dhe e pyeti përse po filmonte. Aktivisti tha se efektivi më pas nxori një thikë dhe u përpoq ta godiste.
Të lidhura
None found
Ai pretendoi gjithashtu se po tentohet të eliminohen regjistrimet e argjendarive që kanë filmuar incidentin, ndërsa pronarëve u është kërkuar nën presion që të mos i bëjnë publike pamjet. Progni tha se vija e kuqe ishte kaluar dhe se situata nuk mund të tolerohej më, duke shtuar se nuk trembej as nga plumbi dhe aq më pak nga thikat. Sipas tij, protestuesit do të vijojnë të qëndrojnë në shesh dhe do të paraqiten atje me vezë, pa u frikësuar nga policia apo nga ndonjë skenar dhune që mund të përgatitet.
Në fund të fjalës së tij, aktivisti theksoi se protesta nuk bëhet për përfitime individuale ose poste politike, por synon ndryshimin e sistemit. Progni deklaroi se pjesëmarrësit ndodhen aty për familjet e tyre, jo për poste apo për të rritur mirëqenien aktuale, dhe se do të vazhdojnë derisa sistemi të marrë fund dhe Edi Rama të japë dorëheqjen.
