Arben Gashi, i cili udhëheq me Grupin Paralementar të LDK-së në Kuvend, ka folur mbrëmë për mospjesëmarrjen e disa deputetëve të kësaj partie në seancën ku Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mbajti fjalimin vjetor, raporton Express.
I ftuar në emisionin “DPT te Fidani” në T7, Gashi ka thënë se vendimi i grupit parlamentar ka qenë që të merret pjesë në atë seancë.
Sipas tij, s’ka pas refuzim për të marrë pjesë në këtë seancë, meqenëse thotë se kanë qenë vetë ata që ia kanë bërë kourumin për ta bërë president.
“Jo, s’kemi dal jashtë. Nuk ka pas braktisje. Dmth vendimi në grup parlamentar ka qenë që të merret pjesë në seancë, pastaj depuetetët dikush ka ardh, dikush s’ka qenë aty, është çështje tjetër. Nuk ka pas braktisje, nuk ka pas refuzim, sepse ne e kemi ndihmu zgjedhjen e presidentes . Qëndrimi jonë ka qenë që të marrim pjesë në seancë. Nuk e kemi votu, por kemi marrë pjesë në seancë, pra e kemi ba kourumin si Lidhje Demokratike e Kosovës, duke marrë pjesë në proces, jo duke votuar”, ka thënë Gashi.
Ndryshe, më 17 dhjetor, Presidentja Vjosa Osmani u ishte adresuar deputetëve të Kosovës me fjalimin vjetor mbi punën e saj, si shefe e shtetit.
Fjalimin e saj e kishin bojkotuar PDK-ja, AAK-ja e Lista Serbe, teksa nga ish-partia e saj LDK, në sallë ishin të pranishëm ishin vetëm tre deputetë.
Armend Zemaj, Hykmete Bajrami e Valentina Bunjaku ishin deputetët e vetëm të LDK-së, që kishin shkuar në seancën plenare për ta dëgjuar fjalimin vjetor të presidentes Osmani.
Presidentja Osmani kishte folur për angazhimin e saj si udhëheqëse e politikës së jashtme gjatë vitit që po e lëmë pas dhe për një sërë çështjesh tjera si luftimi i krimit dhe korrupsionit, dialogu me Serbinë e liberalizimi i vizave.
Osmani kishte përmendur edhe një nga pikat e Marrëveshjes së Uashingtonit për moratorium një vjeçar.
Osmani kishte thënë se pranimi i një pike të tillë e ka cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe të drejtën për konsolidimin për subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
“Kosova ka miq dhe aleatë të rinj dhe të vjetër në të gjitha kontinente, që janë të palëkundur në mbështetjen që na japin në rrugëtimin tonë të drejtë të qerit anëtarë me të drejta të plota dhe të barabarta në komunitetin ndërkombëtar. E gjitha kjo ka ndodhur përkundër një starti jashtëzakonisht sfidues. Duke aplikuar një politike të jashtme tërësisht pasive të çakorduar në të kaluarën, e fatkeqësisht duke e pranuar moratoriumin që cenonte rendin tonë kushtetues dhe të drejtën për të konsolidimin për subjektivitet in tonë ndërkombëtar, jo vetëm që u dëmtuan interesat tona strategjike por edhe ishin dikur dritat e politikës sonë të jashtme. Këto drita jo vetëm që janë të ndezura por po punohet pa rreshtur që Kosovën ta kthejmë mbarë e të ecim përpara ashtu siç e meritojnë qytetarët e tanë”, kishte thënë presidentja Osmani./Gazeta Express