Fredi Beleri u la në burg, reagon Athina zyrtare: Vendimi i Apelit, jo në përputhje me dispozitat e shtetit të së drejtës

Apeli i GJJKO-së ka lënë në burg kryetarin e bashkisë Himarë, i cili u arrestua dy ditë para zgjedhjeve me akuzën për blerje votash.

Pas vendimit të sotëm të Apelit, ka reaguar Ministria e Jashtme e Greqisë, përmes një deklarate, ku thekson se mbajtja e tij në paraburgim nuk është e drejtë pasi është i vetmi i arrestuar në mesin e 31 ankesave për shkelje zgjedhore.

Ministria e Punëve të Jashtme shprehu reagimin e saj për vazhdimin e masës së paraburgimit për Fredi Beleris , siç vendosi sot Gjykata e Apelit e Gjykatës së Posaçme të Tiranës.

“Mbajtja në paraburgim e Fredi Belerit nuk përbën një trajtim të drejtë të një përfaqësuesi të zgjedhur të pushtetit vendor pasi është i vetmi i arrestuar në gjithsej 31 ankesa për shkelje zgjedhore.  Vendimi i autoriteteve shqiptare ngre pikëpyetje në lidhje me ekzistencën e përshtatshmërisë politike për mbajtjen e paraburgimit, pasi ngre pengesa thelbësore për marrjen e detyrës së Fredi Belerit, si kryetar bashkie”.

Reagimi i plotë:

“Refuzimi i sotëm i ankesës së kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, kundër vazhdimit të paraburgimit të tij, nuk rezulton të jetë në përputhje me dispozitat e shtetit të së drejtës, ndërkohë që nuk përbën trajtim të drejtë të një përfaqësues i zgjedhur i vetëqeverisjes vendore, pasi siç del nga Njoftimi i Prokurorisë Speciale të Shqipërisë, është i vetmi paraburgim në gjithsej 31 ankesa për krime zgjedhore.

Ai gjithashtu ngre pikëpyetje për ekzistencën e përshtatshmërisë politike për mbajtjen e paraburgimit, pasi ngre pengesa thelbësore që F. Beleri të marrë detyrën e tij si kryetar bashkie.

Paraburgimi në vazhdim i F. Belerit ka qenë objekti i bisedës së sotme mes ministrit të Jashtëm Vasilis Kaskareli dhe homologes së tij shqiptare Olta Xhaçka në Oslo, në margjinat e takimit joformal ministror të ministrave të jashtëm të NATO-s.

Ministria e Punëve të Jashtme e mban çështjen shumë lart në prioritetet e saj dhe, përtej dimensionit dypalësh të çështjes, do të vazhdojë të informojë dhe ndërgjegjësojë komunitetin ndërkombëtar dhe në veçanti partnerët europianë, pasi Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në BE”.


Shtuar 1.06.2023 15:48