Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij nga Kosova Albin Kurti ndodhen sot në Londër në kuadër të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor.
Siç duket në foton familjare të Samitit, Rama është rreshtuar në rreshtin e parë të liderëve pjesëmarrës, ndërsa Kurti është pozicionuar një rresht pas Ramës.
Më herët gjatë ditës, kreu i qeverisë ishte pjesë edhe e një pritjeje të posaçme të organizuar nga Mbreti Charles III dhe kryeministri Starmer në Pallatin St. James, ku u mirëpritën liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Samiti, i cili zhvillohet këtë vit në Londër, mbledh së bashku krerët e qeverive të rajonit, përfaqësues të nivelit të lartë të Bashkimit Europian, vende partnere të Procesit të Berlinit, institucione financiare ndërkombëtare si dhe organizata rajonale.
Që prej ditës së djeshme, Rama ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka qenë pjesë e një sërë aktivitetesh, përfshirë një panel në institutin prestigjioz Chatham House, me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian”, ku është diskutuar për sfidat dhe perspektivën e rajonit drejt anëtarësimit në BE.