Porti i Vlorës ka përjetuar një rritje të ndjeshme të lëvizjeve gjatë muajit gusht. Vetëm në fundjavën e kaluar, përmes pikës kufitare detare kanë hyrë më shumë se 3 mijë e 500 persona, ndërsa fluksi ka vazhduar edhe të hënën.
Drejtori i Portit të Vlorës, Valdet Bello, bëri të ditur se fundjava e fundit shënoi nivelin më të lartë të mbërritjeve gjatë kësaj periudhe.
Të lidhura
None found
Vetëm me tragetin e parë të së hënës në port kanë mbërritur rreth 750 persona. Një numër i përafërt udhëtarësh pritet të hyjë edhe me tragetin e dytë, i cili mbërrin gjatë pasdites.
Përveç shqiptarëve, në ditët e fundit është shtuar edhe numri i të huajve që zgjedhin Portin e Vlorës për të hyrë në vend. Pjesën më të madhe të tyre e përbëjnë turistët italianë.
Fluksi i lartë po përballohet nga porti në kulmin e sezonit turistik, ndërsa parashikohet që lëvizjet intensive të vijojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme.
