Fitime rekord në 6 muaj, bankat shaluan shqiptarët me interesat e kredive, dhanë kacidhe për depozitat

Fitimi i sektorit bankar sipas standardeve lokale të mbikëqyrjes të aplikuara nga Banka e Shqipërisë shënoi një rritje të fortë në gjysmën e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga banka qendrore, fitimi neto i sektorit sipas këtyre standardeve arriti vlerën e 14.7 miliardë lekëve, me një rritje prej 127% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Fitimi sipas standardeve lokale është edhe më i lartë se fitimi prej 13.6 miliardë lekësh i raportuar për të njëjtën periudhë, sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS).

Rritja e fitimit ka ndikuar në një rritje të fortë edhe në treguesit e rentabilitetit.

Kthimi nga kapitali aksioner (ROE), mesatarizuar me bazë vjetore, është rritur në 15.87%, nga 7.22% që kishte qenë në mesin e vitit të kaluar.

Ndërsa kthimi nga aktivet para taksave (ROA) është rritur në 1.84%, nga 0.8% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rezultatet në rritje të bankave janë mbështetur paralelisht nga rritja e të ardhurave neto nga interesat dhe nga rritja e të ardhurave të tjera.

Rezultati neto nga interesat arriti në 33.2 miliardë lekë, me një rritje prej 34% krahasuar me një vit më parë.

Rritja e normave referuese të interesit prej vitit të kaluar është reflektuar edhe në normat e kredive me interes të ndryshueshëm të sektorit bankar.

Megjithëse rritja e normës së interesave është reflektuar edhe në krahun e depozitave, me një rritje të shpenzimeve për interesa me afërsisht 50% krahasuar me një vit më parë, në terma neto rritja e interesave ka sjellë zgjerim të ndjeshëm të rezultatit nga interesat.

Paralelisht, sektori ka raportuar edhe një rritje të lartë të të ardhurave të tjera, jo nga interesat.

Këto të ardhura kanë arritur në 7.6 miliardë lekë, në rritje me 204% krahasuar me një vit më parë. Efektin kryesor në këtë rritje e ka dhënë rënia e ndjeshme e humbjeve nga instrumentet financiare.

Vitin e kaluar, rritja e shpejtë e yield-eve solli humbje të konsiderueshme në portofolin e titujve të mbajtura me vlerë të drejtë.

Për gjysmën e parë të këtij viti, ky efekt ka qenë më i kufizuar, edhe sepse bankat i kanë zhvendosur portofolet drejt kategorisë “të mbajtura deri në maturim”, për të pasur një ndikim më të vogël nga rritja e yield-eve, që për instrumentet në valutë të huaj ka vazhduar edhe në gjysmën e parë të këtij viti.

Përmirësimi i ndjeshëm në krahun e të ardhurave ka ndikuar në rritjen e fitimit, pavarësisht një rritjeje paralele edhe të shpenzimeve.

Shpenzimet e bankave, përjashto ato për interesa, arritën në 21.4 miliardë lekë, në rritje me 11% krahasuar me një vit më parë. Rritja erdhi si nga rritja e shpenzimeve të personelit, ashtu edhe nga rritja e shpenzimeve të tjera operative.

Ndërkohë, zëri më i ndjeshëm i shpenzimeve, ai i lidhur me koston e rrezikut u rrit gjithashtu ndjeshëm në rreth 2.1 miliardë lekë, nga pak më shumë se 200 milionë lekë që kishte qenë një vit më parë.

Rritja erdhi kryesisht nga rritja e provigjioneve për kreditë me probleme. Megjithatë, për momentin kjo rritje nuk ka dhënë ndikime të rëndësishme në rezultatin financiar në nivel sektori.

/monitor


Shtuar 14.08.2023 12:15