Mbrëmjen e djeshme, u publikua në “Top Story”, një video e vjetër nga një takim i dy mendjeve të ndritura që nuk jetojnë më, por që kanë lënë pas pasuritë e tyre letrare, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli.
Teksa takimin e nisin me një përqafim, ata sqarojnë përplasjet dhe pakënaqësitë mes tyre, por theksojnë edhe respektin për njëri-tjetrin.
Kadare sjell në vëmendje një intervistë që ai kishte dhënë, ku ishte pyetur për Dritëroin dhe kontradiktat që kanë pasur me njëri-tjetrin.
Ismail Kadare: “Kam dhënë një intervistë shumë të rëndësishme, tek specialisti më i madh për botën komuniste, Stéphane Courtois dhe ai më ka bërë një pyetje. Zoti Kadare, keni pasur kontradikta me Dritëro Agollin dhe vë re në intervistën tuaj që ju jeni i butë me të. E shpjegoj pse unë, kemi qenë shokë të vjetër dhe ajo ka mbetur gjithmonë e gjithmonë…
Kryesorja është ajo dhe kryesorja ne jemi shkrimtarë të dy. Dhe i shpjegoj një detaj, një hollësi, dhe i them edhe kur ka pasur gjendje të acaruar në Shqipëri, unë kujtoja Agollin, i ka thënë time shoqes në shkallë. I ka tundur gishtin i ka thënë: ‘Dëgjo ti Helena, në ka njeri që e do më shumë burrin tënd jam unë’. Dhe unë për çudi them, e besova. Tani Stéphane Courtois tha, dhe unë e besoj. Shiko sa interesante, një i huaj.
Në Shqipëri është zakon i keq, kujtojnë vetëm të këqijat. Të këqija gjen kudo në jetën e njeriut, episode të këqija, acarime, njolla. Ne ato kujtojmë. Ne nuk kujtojmë të mirat dhe këtu është përparimi i një kombi, i mirë ose i mbrapshtë. Rruga e mbrapshtë është kur kujton vetëm të ligat dhe rruga e mbarë kur përpiqet t’i mënjanojë ato dhe të kujtojë vetëm të mirat. Të mirat ne nuk i duam. Kjo është historia, ne jemi shkrimtarë, ne jemi për tjetër gjë…kemi ardhur në këtë botë”.
Dritëro Agolli: “Unë mendoj që po nuk pate kundërshtim nuk mund ta duash tjetrin. Pa kundërshtim, nuk ka lindur shkenca, as letërsia. Po të ishin të gjithë shkrimtarët dakord të gjithë, asnjë shkrimtar nuk do kishte në botë”.
“Dritëro Agolli, Ismail Kadare gjithë ai brez janë marrë vesh, sepse kishte klimë letrare krijuese. Dikush boton një libër të bukur dhe ka vënë një stad më lart, krijohet një lloj gare për ta tejkaluar dhe uruar.
Duhet të ketë dhe kundërshtim, ka pasur dhe debate të ashpra, por brenda klimës letrare. Unë isha një shkrimtar i ri dhe thotë më ka pëlqyer poezia, kjo të hapte shumë dyer. Sot kjo klimë nuk ekziston. Bashkësia e shkrimtarëve është e shpërbërë për arsye që nuk mund të thuhen të gjitha”,-u shpreh poeti dhe studiuesi Sadik Bejko.