Falsifikonte teste Covidi, arrestohet pronarja e një agjencie udhëtimi në Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve, si dhe të monitorimit të zbatimit të masave anticovid, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë në rrugë operative, për një kompani udhëtimi që falsifikonte testet e Covid-19, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Testet”.

Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasja A. R., 56 vjeçe, banuese në Durrës, pronare e një agjencie udhëtimi, e cila falsifikonte testet e Covid-19, në emër të një klinike në Tiranë.

Gjithashtu, në kuadër të operacionit, në bashkëpunim edhe me Policinë Kufitare në Portin e Durrësit, u kapën dhe u proceduan penalisht dy shtetas, të cilët tentuan të kalonin kufirin për në Itali, me teste të falsifikuara nga pronarja e agjencisë së udhëtimit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore” dhe “Fshehja e të ardhurave”.


Shtuar 6.01.2022 09:03