Monedha europiane ka shënuar një tjetër rekord negativ në raport me lekun. Të dhënat e kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë tregojnë se euro ka kaluar për herë të parë poshtë kufirit prej 93 lekësh.
Dobësimi i monedhës së përbashkët europiane ka vijuar, duke e çuar atë në nivelin më të ulët historik. Sipas Bankës së Shqipërisë, euro këmbehet me 92.96 lekë.
Të lidhura
None found
Kjo rënie përkon me kulmin e sezonit turistik, kur prurjet e valutës në ekonominë shqiptare arrijnë pikën më të lartë të vitit. Oferta e euros në treg është shtuar ndjeshëm nga flukset e turistëve, remitancat e emigrantëve dhe të ardhurat prej eksporteve të shërbimeve turistike, duke nxitur forcimin e vazhdueshëm të lekut.
Pritshmëritë janë që kjo ecuri të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme. Shqipëria ndodhet në javën më intensive të sezonit veror dhe oferta e lartë valutore pritet ta mbajë euron nën presion, ndërsa nuk përjashtohet një dobësim i mëtejshëm i saj gjatë kësaj jave.
Euro po humbet terren edhe pse Banka e Shqipërisë prej disa javësh ka shtuar ndërhyrjet për blerjen e saj në tregun vendas. Këto operacione synojnë të zbusin lëvizjet e forta të kursit të këmbimit dhe të kufizojnë mbiçmimin e lekut, i cili po u shkakton vështirësi eksportuesve dhe sektorëve që gjenerojnë të ardhura në euro.
Deri më tani, megjithatë, forca e tregut e ka tejkaluar ndikimin e ndërhyrjeve. Sasia e lartë e valutës në qarkullim ka vijuar të mbizotërojë ndaj kërkesës, duke e çuar euron në minimume të reja historike.
Për bizneset dhe konsumatorët me pagesa në euro, zhvlerësimi i monedhës europiane ul shpenzimet për importet dhe shlyerjen e detyrimeve valutore. Ndërkohë, eksportuesit dhe familjet përfituese të remitancave po marrin më pak të ardhura pas konvertimit në lekë, ndërsa ndikimi i forcimit të monedhës vendase po ndihet gjithnjë e më shumë në veprimtarinë e tyre ekonomike.
