Një 29-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi shantazhonte një shtetase braziliane 19-vjecare përmes disa videove intime.
Sipas burimeve në pranga ka rënë Eraldo Dervishi i cili ka qenë emigrant në Brazil.
Njoftimi i Policisë:
Shantazhonte një shtetase, që t’i jepte shuma parash, për mospublikimin e disa videove, vihet në pranga 29-vjeçari. Sekuestrohen një aparat celular dhe një pasaportë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, pas kallëzimit të marrë nga një shtetase 19 vjeçe, nga Brazili, se një shtetas e shantazhonte për dhënie pasurie, që të mos i publikonte një video, në rrjetet sociale, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Extortion”.
Falë veprimeve profesionale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, brenda pak orësh, është bërë lokalizimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– E. D., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi E. D. i kishte marrë pasaportën 19-vjeçares, të cilën e shantazhonte që t’i jepte shuma të caktuara parash, për mospublikimin e disa videove që ai dispononte.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./albeu.com/