Autori dhe bashkëpunëtori në vrasjen e 46-vjeçarit Altin Alikaj në Vlorë, ngjarje e ndodhur në lagjen 24 Maji të këtij qyteti, kanë përfunduar në prangat e policisë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në 12 shkurt të këtij viti dhe autorët ishin ende të lirë pas kryerjes së krimit, deri mëngjesin e sotëm.
Për arrestimin e tyre, policia e Vlorës ka bashkëpunuar edhe me atë të Fierit.
Të arrestuarit janë autori 23-vjeçar Shazi Ahmetaj dhe bashkëpunëtori i tij 30 vjeçar Mateo Kiptiu.
Njoftimi i plotë:
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “NDËSHKIMI”.
Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i vrasjes me armë zjarri të 46 vjeçarit, ngjarje e ndodhur më datë 19.02.2022, në lagjen 24 Maji, Vlorë
Vihet në pranga edhe një shtetas tjetër për përkrahje të autorit të krimit.
Gjithashtu sekuestrohet një sasi lënde narkotike, e dyshuar Heroinë.
Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë, Vlorë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, si rezultat i hetimeve të thelluara dhe punës profesionale të kryer, bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të ngjarjes.
Bazuar në provat e grumbulluara, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “NDËSHKIMI”.
Në kuadër të operacionit u bë e munduar kapja dhe ndalimi i shtetasit Sh.A., 23 vjeç, banues në Kolonjë, Lushnje, me preçedent të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve dhe të vjedhjes.
Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M.K., 30 vjeç, banues në Kolonjë, Lushnje, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”,
Shtetasi Sh.A., dyshohet si autor i vrasjes se shtetasit A.A., i cili u gjet pa shenja jete në banesën e tij, ndërsa shtetasi M.K., dyshohet se ka ndihmuar autorin për t’u fshehur, duke i siguruar një mjet të marrë me qira për lëvizjen e tij.
Në momentin e ndalimit shtetasit Sh.A., iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale 40.5 gram lëndë narkotike e dyshuar e llojit heroinë.
Vazhdojnë veprimet hetimore për të përcaktuar motivet e këtij krimi të rëndë, si dhe për identifikimin e personave të tjerë, që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprat penale “Vrasje me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe ” Përkrahja e autorit të krimit”./albeu.com/