E rëndë në Peqin, gjendet trupi i pajetë i një 25-vjeçari të zhdukur prej 10 ditësh

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e së premtes, kur në kanalin vaditës Peqin-Kavajë, pranë fshatit Hoxhaj, është zbuluar trupi i pajetë i një të riu.

Pas ndërhyrjes së forcave të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të Peqinit, kufoma u nxor nga kanali dhe u identifikua si shtetasi Agim Dallupi, 25 vjeç, banor i Peqinit. I riu, i cili kishte aftësi ndryshe, rezultonte i zhdukur prej dhjetë ditësh. Për gjetjen e tij ishin organizuar kërkime të gjera përgjatë rrjedhës së lumit Shkumbin dhe kanalit vaditës.

Trupi i viktimës u transportua në morgun e Spitalit Rajonal të Elbasanit, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore. Ndërkohë, policia dhe prokuroria po hetojnë për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.


Shtuar 13.12.2024 21:26

Tags: ,