Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Kosovë, në Llaushë të Skenderajt ku burri ka vrarë bashkëshorten me armë zjarri.
Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka nisur grumbullimin e provave për vrasjen e gruas 48-vjeçare me inicialet L.Q teksa burri i saj S.Q., 51-vjeçar është arrestuar dhe është dërguar në paraburgim. Krimi ndodhi në sallonin e shtëpisë së çiftit dhe në momentin kur hetuesia kishte arritur ne vendin e ngjarjes, kishin parë ambientin të shndërruar në “pellg gjaku”, teksa aty ndodheshin dy nga tre fëmijët e çiftit.
Çifti ka tre fëmijë dhe nuk dihet nëse ata ndodheshin në vendin e krimit në momentin e vrasjes. Në vendin e ngjarjes janë gjetur gjashtë gëzhoja plumbash, por akoma nuk dihet se sa plumba u shkrepën në trupin e gruas. Policia tha se nga hetimet fillestare nga vendi i ngjarjes bëhet e ditur se burri ka qëlluar bashkëshorten me armë zjarri , një pistoletë me tre fishekë.
“Nuk e dimë sa plumba janë shkrepur mbi trupin e viktimës, pa e marrë raportin e autopsisë nuk mund të flasim asgjë. E kemi parë pellgun e gjakut në sallon në dhomën e ditës, edhe aty i pashë dy fëmijët e çiftit, një vajzë dhe një djalë”, tha hetuesia.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, Agron Mehmeti ka treguar se viktima ka pasur tre plagë të rënda, dy në gjoks dhe një në dorë. Ai ka deklaruar se ajo ka qenë me shenja jete deri sa është dërguar në spitalin e Mitrovicës.
“Qendra Emergjente është njoftuar rreth orës 14:00 për një rast në fshatin Llaushë dhe menjëherë ka shkuar ekipa kujdestare me doktoreshën dhe ekipin e infermierëve në shtëpi dhe e kanë marrë një grua rreth moshës 48 vjeçare me plagë të rënda dhe e kanë transferuar menjëherë në qendrën emergjente dhe ju ka dhënë ndihma e parë dhe me autoambulancë me shenja jete ka shkuar deri në spitalin rajonal të Mitrovicës. Ekipa kur ka shkuar në shtëpi që ta marrë, e ka marrë me shenja jete, ka qenë gjallë deri në spitalin rajon të Mitrovicës, edhe pse në gjendje shumë të rëndë, me tri plagë të rënda, sipas drejtorit kujdestar. Plagët kanë qenë të lokalizume, në regjionin e gjoksit dy dhe në regjionin e dorës”, ka deklaruar ai.
48-vjeçarja ka shkuar në gjendje të rëndë në spital rreth orës 14:13 por pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor për ta shpëtuar, vdiq pas plagëve të marra.