Një vrasje e rëndë ka tronditur sot qytetin e Ferizajt në orët e para të mëngjesit.
Një 30-vjeçar, me inicialet G.H, ka mbetur i vrarë pas gjuajtjes me armë zjarri nga i dyshuari Q.J, po ashtu 30 vjeçar.
Detaje të reja janë zbuluar nga publikimi i dosjes së Prokurorisë.
E gjitha ka ndodhur për shkak se i dyshuari e fajësonte viktimën për djegien e veturës së vëllait të tij, thuhet në dosjen e publikuar nga kallxo.com – dhe me të takuar të ndjerin, ai ka shtënë shtatë herë me armë në drejtim të tij.
“Pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një veturë të vëllait të tij për të cilën i pandehuri ka pretenduar se i është djegur nga ana e tani të ndjerit, me ta takuar të ndjerin shtënë në drejtim të tij me armë zjarri shtatë herë, me ç’rast si pasojë e të shtënave, nga plagët e marra ndërron jetë”, thuhet në dosjen e publikuar nga kallxo.com.
Sipas mediumit, në dosje përshkruhet se i dyshuari me parapërgatitje dhe me dashje e ka kryer vrasjen. Prokuroria ka në dispozicion edhe pamjet nga kamerat e sigurisë në zonë, ndërkohë që dosja zbulon se i dyshuari Q.J dyshohet se me disa persona të tjerë kanë përcjell viktimën me një veturë “AUDI A7” dhe pas ndaljes, para një marketi e ka gjuajtur me armë për vdekje.
Në dosjen e publikuar, thuhet se viktimën e kanë dërguar në Qendrën Emergjente me një taksi shokët e tij, ku është konstatuar edhe vdekja e tij./GazetaExpress/