Pas tryezës së mbajtur sot mbi sfidat dhe përparësitë e arsimit parauniversitar, Enver Hoxhaj, kryetar i Komisionit Parlamentar për Arsim dhe Shkencë, kërkoi ndryshime rrënjësore në sistemin arsimor të Kosovës. Sipas tij, reformat nuk janë të mjaftueshme dhe transformimi duhet të përfshijë rrugëtimin nga edukimi i hershëm deri në çdo nivel të arsimit parauniversitar.
Përmes një publikimi në Facebook, Hoxhaj njoftoi se deputetët, profesorët universitarë, studiuesit dhe aktivistët e shoqërisë civile që morën pjesë në tryezë kërkuan një dakordësi në shkallë kombëtare, e cila të konkretizohet në një Pakt Kombëtar për Arsimin. Kërkesat e tyre përfshinë edhe ndryshimin e formulës së financimit dhe shtimin e buxhetit të arsimit.
Të lidhura
None found
Pjesëmarrësit e përshkruan si alarmante situatën në arsim dhe nënvizuan domosdoshmërinë e një vizioni të qartë, si për sistemin arsimor, ashtu edhe për shoqërinë që Kosova kërkon të ndërtojë. Në diskutime u kërkua që tryeza të funksionojë si hapësirë e hapur dialogu për hartimin e Paktit Kombëtar për Arsimin.
Performanca e dobët në testin PISA u evidentua si shenjë shqetësuese, ndërsa u vlerësua se situata po shkon drejt përkeqësimit. Përballë kësaj gjendjeje, u kërkua që ndërhyrjet të fillojnë me edukimin e hershëm dhe të përfshijnë të gjithë arsimin parauniversitar.
Në fushën e infrastrukturës, diskutimet u përqendruan te investimet në mjediset arsimore, zgjerimi i hapësirave për çerdhet dhe sigurimi i kushteve që shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë të zhvillojnë mësim tërëditor.
Një tjetër grup përparësish përfshiu rishikimin tërësor të kurrikulës dhe harmonizimin e teksteve mësimore me të, krahas zhvillimit profesional dhe rritjes së pagave të mësimdhënësve. Vëmendje e posaçme iu dha digjitalizimit të arsimit dhe përmirësimit të aftësive në lexim, matematikë e shkenca.
Në vlerësimin e Hoxhajt, transformimi arsimor dhe e ardhmja e fëmijëve duhet të mbështeten te tri shtylla: konsensusi kombëtar, financimi dhe një buxhet më i lartë për arsimin.








