Teuta fiton Kategorinë Superiore pas 27 vitesh (VIDEO)

Teuta ka fituar titullin në Kategorinë Superiore. Djemtë e Detit shkatërruan 6-1 Apoloninë në shtëpi në ndeshjen e fundit të kampionatit. Ky titull i mungonte prej sezonit 1993/1994.

Ekipi durrsak kishte vetëm një rezultat të mundshëm në ndeshjen e fundit dhe e arriti me rezultatin e thellë 6-1 ndaj Apolonisë në “Niko Dovana” ku nuk munguan tifozët edhe pse zyrtarisht në impiante nuk lejohen.

Ishte Dejvi Bregu heroi i Teutës që me tre gola në këtë ndeshje riktheu titullin kampion pas shumë vitesh në qytetin bregdetar, plot 27 vite që i mungonte dhe jo vetëm kaq sepse me ato që shënoi sot, sulmuesi rrëmben edhe Këpucën e Artë të kampionatit me 16 gola të realizuar.

Ndeshjen e titullit e hapi Bregu në 16’, Dejvi Bregu që çliroi skuadrën nga presion dhe me një të djathtë nga jashtë zone dërgon topin në rrjetë për t’i dhënë avantazhin. Në minutën e 27’ ishte Lorenzo Vila që dyfishoi por në fund të pjesës së parë, Mihana shënoi një supergol duke frikësuar paksa vendasit.

Me fillimin e pjesës së dytë, Teuta e vendosur i dha fund çdo shprese të rivalëve duke shënuar sërish me Bregun me një goditje dënimi teksa Rrepaj dhe Sota dolën me të kuq duke ia shtruar rrugën ekipit të Martinit.

Bregu me një penallti në 66’ dhe kapiteni Arapi në 77’ shënuan golat e lavdisë për Teutën dhe në fund në 90’ kishte vend edhe për Sebino Plakun që shënon ndërsa pas vërshëllimës finale nisi dhe festën e madhe.

Vllaznia që ishte në garë me pikë të barabarta bëri detyrën e saj me fitoren 2-0 në Loro Boriçi ndaj Laçit me golat e Markut dhe Dilaver ndërsa Partizani që gjithashtu ishte matematikisht në garë triumfoi 2-4 me Bylisin. /albeu.com/


Shtuar 26.05.2021 18:51