E FUNDIT/ I kërkuar për vrasjen e bujshme, kush është shkodrani i “tmerrshëm” që dyshohet se vrau Mustafën

Policia ka shpallur në kërkim autorin kryesor të dyshuar për vrasjen e Endri Mustafës, trupi i të cilit u gjet dje në Livadhe në Shkodër.

Burimet për albeu.com bëjnë me dije se policia ka shpallur në kërkim shtetasin Ibrahim Lici.

Lici është një emër shumë i njohur për policinë e Shtetit pasi është në kërkim për vrasjen e vëllezërve Bilali në Shkodër.

Rikujtojmë se viktima, Endri Mustafa, kishte një lidhje të ngushtë me vëllerëzit Bilali të vrarë rreth 2 vite më parë në të njëjtën zonë, Livadhe në Shkodër.

E shkuara e Endri Mustafës dhe lidhja me vëllezërit Bilali:

Ai është arrestuar në qershor të vitit 2016 pas një grabitje me dhunë dhe me armë, e cila ka përfunduar me prangosjen e katër grabitësve, ndërsa dy të plagosur të tjerë, viktima të grabitjes, kanë përfunduar në spital. Edhe më herët ka qenë i dënuar për plagosje me armë.

Policia e Shkodrës menjëherë pas ngjarjes ka zhvilluar operacionin policor të koduar “Livadhet” dhe kanë arrestuar në flagrancë 4 persona; Endri Mustafa i cili u gjet sot i vrarë, Ardit Torishta, Bekim Torishta, Astrit Bilali, Ibrahim Bilali dhe minoreni S.B.

Ndërkohë vetëm 3 vite më pas, në 30 mars 2019, dy vëllezërit Bilali, të cilët u arrestuan në atë kohë së bashku me viktimën e sotme Endri Mustafa, u ekzekutuan me armë në lagjen Kiras. Endri Mustafa është kështu personi i tretë, i cili ekzekutohet pas përfshirjes së asaj grabitje të qershorit 2016 e cila përfundoi në një luftë të vërtetë me 6 të plagosur.

Nga ana tjetër kujtojmë se miqtë e viktimës, Bilalët rezultojnë të përfshirë në një spirale gjakmarrje me fisin Liçi në Shkodër.

NJOFTIMI I POLICISE:

Shkodër

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 15.05.2021, në lagjen Guerrile, Shkodër, ku u gjet i vrarë me armë zjarri shtetasi E. M.

Shpallet në kërkim autori kryesor i dyshuar për vrasjen e 32-vjeçarit.

Arrestohet në flagrancë bashkëpunëtori i autorit kryesor të dyshuar për vrasjen, si dhe vihet në pranga edhe një shtetas tjetër që dyshohet se ka dijeni për ngjarjen.

Në vijim të veprime të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistët të Hetimit të DVP Shkodër dhe të Drejtorisë Kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pronës në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, në bazë të provave të grumbulluara u bë shpallja në kërkim e shtetasit I. L., 28 vjeç banues në lagjen Guerrile, Shkodër, i dyshuar si autor i vrasjes së shtetasit E. M.

Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje është arrestuar shtetasi i mitur E. M., 15 vjeç i cili dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin e lartpërmendur kanë vrarë me armë zjarri shtetasin E. M.

Po gjatë veprimeve hetimore dhe si rezultat i kontrolleve të ushtruara për kapjen e autorit u arrestua në flagrancë edhe shtetasi E. A., 26 vjeç banues ne lagjen “Salo Halili”, Shkodër, i cili dyshohet se ka dijeni për ngjarjen. Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur një sasi lënde narkotike cannabis sativa.

Materialet iu referuan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje” në ngarkim të shtetasit I. L., në ngarkim të shtetasit E. M. për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, si dhe në ngarkim të shtetasit E. A. për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. /albeu.com/


Shtuar 18.05.2021 09:52