Berisha nuk humb kohë, nis mbledhjen e firmave për të rrëzuar Bashën

Ish-kryeministri Sali Berisha nuk po humb kohë në betejën e tij kundër kryetarit të PD Lulzim Basha.

Burimet bëjnë me dije se Berish ka nisur të mbledhë 1500 firmat e nevojshme për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku pritet të votohet vendimi i Lulzim Bashës për përjashtimin e tij nga grupi i PD-së.

Ky dokument ka filluar të shpërndahet ditën e sotme, teksa Sali Berisha mbajti “Foltoren” e katërt në qytetin e Durrësit, në kuadër të takimeve me demokratët përreth gjithë Shqipërisë.

Që nga vendimi i 9 shtatorit për përjashtimin nga grupi i PD-së, Sali Berisha i ka shpallur luftë politike Lulzim Bashës, për të cilin ka kërkuar falje që e ka mbështetur në krye të PD-së.

Berisha tashmë nuk e njeh Lulzim Bashën si kryetar të PD-së dhe e akuzon atë si bashkëpunëtor me Edi Ramën për shkatërrimin e PD-së.

Përmbajtja e letrës:

I/E shqetësuar për gjendjen e rëndë të demokracisë së brendshme të Partisë Demokratike në kushtet e dhunimit flagrant të parimeve themelore, statutit dhe të forumeve të saj vendimmarrëse.

I/E bindur se mendimi dhe fjala e vota e lirë dhe respektimi  i statutit të PD dhe normave të tij janë vlera themelore mbi të cilat është ngritur Partia Demokracia dhe prerogativë e vetëangazhimit në një parti politike. Me besimin e plotë të kthimit në funksionalitet i forumeve vendimmarrësve të partisë është kush për rikthimin e besimit në fuqinë e votës dhe anëtarësisë.

Me shpresë se rivalitizimi i aksionit opozitar të Partisë Demokratike do të shënojë hapin vendimmarrës për kthimin e saj si forcë politike që gëzon mbështetjen e shumicës së qytetarëve shqiptare, në bazë të nenit 43 pika 2 të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, kërkoj mbledhjen e kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, me rend dite si më poshtë”

-Miratimin e ndryshimeve statutore sipas propozimeve konfrom nenit 43/4 dhe 60 të statutit të PDSH për rivendosjen dhe garantimin e demokracisë në vendimmarrjen në forumet e Partisë Demokratike. Analiza e qëndrimeve të kryetarit Basha ndaj parimeve themerole e normave të statutit dhe ndaj Forumit të Partisë Demokratike.

-Vendimmarrje sipas ndryshimeve statutore dhe thirrja e referendumit të anëtarëve të Partisë Demokratike për të miratuar vendimin e kuvendit kombëtar të PD

-Përcaktimi i aksionit politik opozitar të Partisë Demokratike të Shqipërisë

-Të ndryshme

Kuvendi Kombëtar do të mbahet në ambientet e Pallatit të Kongreseve, dhe në rast pamundësie në ambientin që do të përcaktohet në njoftimin publik, që do të kryhet për këtë qëllim, nga anëtari i Këshillit Kombëtar, deputeti Sali Berisha./albeu.com/

 


Shtuar 29.09.2021 21:23