Dyshonin se po blinte vota, 2 simpatizantë të opozitës bllokojnë makinën e kryetarit të PS-së në Dibër

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër, filloi procedimi penal, dhe u referuan materialet procedurale në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprat penale “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik”, për shtetasit :

F. A., 54 vjeç, S. L., 46 vjeç, banues në Dibër, (simpatizanë të një subjekti politik).

Procedimi penal ndaj tyre filloi pasi në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë në fshatin Arras, kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, në drejtim të heqjes së paligjshme të lirisë, kundrejt shtetasit A.C.

Këta shtetas kanë ndaluar dhe kontrolluar automjetin që drejtohej nga shtetasi A. C., (kryetar i degës lokale i një subjekti politik), dhe është mbajtur i bllokuar deri në mbërritjen e shërbimeve të Policisë, me pretendimin se ky shtetas, posedonte materiale që mund të ndikonin në procesin zgjedhor.

Nga verifikimet e kryera dhe kontrolli i ushtruar nga grupi hetimor në automjetin që drejtonte shtetasi A. C., nuk u gjet asnjë send kompromentues në lidhje me procesin zgjedhor.

Vijon puna për identifikimin dhe procedimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Shtuar 25.04.2021 11:25