Dyshohej për prostitucion, momenti kur policia mësyn në bodrumin e Hotel “Colombo” në Durrës të konfiskuar ditën e djeshme (VIDEO)

Janë publikuar pamjet e aksionit të policisë së Durrësit në Hotel “Colombo” në Durrës. Shihet se një numër i madh efektivësh nga struktura të ndryshme të policisë mësyjnë brenda lokalit.

Kjo godinë me vlerë 1 milionë euro u konfiskua me vendim të gjykatës së Durrësit, pasi pronari Pëllumb Tuda e ka vënë pasurinë me para të siguruara nga aktiviteti i tij kriminal.
Me urdhër të prokurorisë janë konfiskuar edhe dy pallate në ndërtim. Vlera e tyre në treg arrin në 2 milionë euro.

Pëllumb Tuda ishte vënë në hetim pasuror dhe gjykata thotë se tashmë rezulton e provuar që pasuria e tij është vënë përmes veprimtarive kriminale ku ai ka qenë i përfshirë.

Këto asete ishin vënë në sekuestro preventive dy vite më parë.

51-vjeçari është një emër i njohur për drejtësinë. Tuda ka qenë i dënuar për “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Shfrytëzim Prostitucioni”.Në korrik 2014 ai doli nga bugu me leje dhe plagosi dy persona në Durrës, duke u arrestuar sërish.

Gjithashtu ai u denoncua para 5 viteve nga banakieria në diskon në pronësi të tij sepse ka dashur ta shfrytëzonte për prositucion, dhe kur vajza e kishte refuzuar e kishte rrahur barbarisht. Por hetimi mbi këtë motiv u pushua, pasi vajza tërhoqi dëshmitë.