Një ditë pas arrestimit të 5 drejtuesve të lartë të policisë në Mallakastër detaje të reja kanë dalë nga hetimi.
Sipas prokurorisë së Fierit, në disa raste në zonën e Poçemit Mallakastër, nga vëzhgimet në terren të efektivëve të SHÇBA me dron, por dhe nga kontrolli i territorit, janë gjetur të mbjella bimë kanabisi me gjatësi nga 1.5 deri në 2.5 metra.
Këta oficerë kishin kryer operacion në këtë zonë por nuk kishin raportuar dhe nuk kishin ndërhyrë për asgjësimin e këtyre parcelave. Oficerët e arrestuar kanë raportuar në Prokurorinë e Fierit të dhëna fiktive mbi numrin e parcelave të kultivuara.
Në një rast, drejtuesi I komisariatit Mallakastrës Gazmir Preçi edhe pse ka pasur të dhëna të sakta për parcela të mbjella me kanabis, bashkë me përgjegjësin e grupit për kontroll kanë kryer me vonesë operacionin me qëllim që trafikantët të korrnin lëndën narkotike.
Pesë zyrtarët e policisë, mes të cilëve edhe shefi i Krimeve, janë lënë në burg nga gjykata e Fierit, me dyshimin se kanë lejuar kultivimin e kanabisit në Poçem të Mallakastrës.
Për 3 efektivë të tjerë është caktuar masa detyrim paraqitje dhe hetimet do të vazhdojnë në gjendje të lire./abcnews.al/