Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në spitalin e Slavonski Brod, në Kroaci, Josip Samarxhiç, ka treguar për gjendjen shëndetësore të pasagjerëve që mbetën të plagosur në aksidentin tragjik të ditës së dielë.
Sipas mjekut, nga 42 pasagjerët që janë në spital, 15 janë në gjendje të rëndë shëndetësore pasi kanë marrë lëndime të mëdha.
“Ne i mbajtëm ata në trajtim. 15 prej tyre kanë lëndime të rënda trupore, dhe dy të plagosur janë vendosur në njësinë e kujdesit intensiv dhe po kryhen të gjitha procedurat e kujdesit intensiv. Katër u operuan. Ne vazhdimisht po monitorojmë situatën”, tha ai në Dnevnik N1, duke shtuar se është ofruar edhe ndihmë psikologjike për fëmijët.
Kujtojmë se ditën e djeshme, autobusi me shqiptarë të Kosovës që po vinte nga Gjermania humbi kontrollin dhe u rrëzua në Kroaci, duke i marrë jetën 10 personave./albeu.com