Dollari kap shifrën rekord në 5 vitet e fundit

Dollari amerikan ka kaluar Euron në kursin e këmbimit kundrejt Lekut.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan u këmbye sot me 119.03 Lekë. Ndërkohë, Euro zbriti në vlerën e 117 Lekëve.

Kjo është hera e parë pas 5 vitesh që dollari kap shifër rekord. Në 2017, një dollar kushtonte 112.72 leke.

 

Ky moment simbolik është i lidhur direkt me ecurinë e kursit të këmbimit mes Euros dhe Dollarit Amerikan në tregjet ndërkombëtare. Kursi i Lekut kundrejt shumicës së valutave të tjera të huaja përcaktohet direkt nga ecuria e kursit të Euros kundrejt këtyre monedhave. Duke qenë se volumet e këmbimit të valutave të tjera në tregun shqiptar janë shumë të vogla dhe duke qenë se pozicionet e sektorit bankar mbahen kryesisht në Euro, edhe kursi i këmbimit të lekut ndaj tyre reflekton, në përmasa pak a shumë proporcionale, ecurinë e kursit të këmbimit ndaj Euros.

Në tregjet ndërkombëtare kursi Euro-USD po shënon vlerat më të ulëta historike. Monedha europiane ka rënë sërish poshtë nivelet të barazisë dhe këmbehej të martën me 0.99 USD. Mbiçmimi i Dollarit ndaj Euros në muajt e fundit po ndikohet nga disa faktorë. Rezerva Federale Amerikane po ndërmerr një shtrëngim të shpejtë monetar, nëpërmjet rritjeve të njëpasnjëshme të normës bazë të interesit.

Banka Qendrore Europiane po lëviz shumë më ngadalë në këtë drejtim. Hendeku në normat e interesit përgjithësisht është një faktor me rëndësi në kursin e këmbimit mes valutave kryesore. Një arsye tjetër që po e ndikon negativisht Euron është perspektima e zymtë ekonomike, e lidhur sidomos me pasiguritë energjetike.