“Do futen në listën e zezë”, Blendi Gonxhe ka një paralajmërim për shoferët që përdorin makina me timon anglez

Drejtori i Transportit Rrugor Blendi Gonxhe, ka deklaruar se të gjitha mjetet me timon anglez të cilat qarkullojnë në Shqipëri, do të bllokohen nga policia duke nisur nga ato që janë targuar pas marsit të vitit 2015 dhe që kanë ende sistem drejtimin në krahun e djathtë.

Në një intervistë për TvKlan, Gonxhe tha se shkak për këtë masë, është bërë shtimi i aksidenteve rrugore dhe fakti se në Kodin Rrugor është ndaluar me ligj importimi i automjeteve me timon anglez.

Gonxhe shtoi se edhe punonjësit të cilët kanë kaluar makina të tilla në kolaudim do të largohen nga puna ose do të ndiqen penalisht.

“Çdo targim bërë nga çfarëdolloj bakshishi apo shoku, apo është targuar pas 21 Marsit 2015 je targuar pas kësaj date, je ende në rrugë me timon anglez, je në shkelje flagrante të kodit rrugor. Makina bllokohet, futet në alert, futet në listën e zezë, nuk do kalojë dot kolaudimin. Të gjithë ata që vazhdojnë të abuzojnë në këtë mjet si në momentin e parë të targimit deri sot nëse i ofrojnë shërbim në mënyrë të paligjshme, janë subjekt i kallëzimit për ndjekje penale. Tashmë vetëm në muajt e parë të kolaudimit  ne kemi kapur shumë  raste. Vetëm javën e shkuar ne kemi njoftuar për largim nga detyra 10 punonjës të DPSHTRR të cilët në vite të ndryshme kanë abuzuar me mjetet të cilat sot janë në rrugë me timon anglez në kundërshtim të hapur me ligjin. Këta njerëz do humbin vendin e punës, do përballen me organet e drejtësisë. Auditi po punon me evidentimin e këtyre mjeteve”, u shpreh Gonxhe.

I pyetur se çfarë duhet të bëjë një qytetar i cili ka një automjet të tillë në qarkullim, Gonxhe tha se duhet të ndërrojnë krahun e timonit, për t’u përputhur me kriteret dhe normat e kodit rrugor shqiptar.

“Duhet të ndërrojnë krahun e timonit, duhet të përputhen me kriteret dhe  normat, ligjit të kodit rrugor. Të bëjnë ndryshime konstruktive, të aplikojnë për ndryshime konstruktive”, tha ai.


Shtuar 21.11.2021 22:03