Dialogu me Serbinë, Lajçak nesër në Prishtinë

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të qëndrojë në Prishtinë më 25 nëntor.

Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Këto vizita kanë për qëllim përparimin në përgatitjet për takimin e radhës në nivel të lartë për të cilin ende shpresojmë që do të mbahet më vonë gjatë këtij viti”, deklaroi Stano.

Stano përkujtoi që në takimin e fundit i cili u mbajt më 15 nëntor, ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të BE-së, kërkuan nga Kosova dhe Serbia respektimin e marrëveshjeve të arritura.

Duke u ndërlidhur me këtë, Stano theksoi që kjo nënkupton edhe respektimin e marrëveshjes lidhur me vizitat e zyrtarëve të lartë të Beogradit në Prishtinë dhe anasjelltas, që u arrit në kuadër të dialogut.

Më 23 nëntor, Qeveria e Kosovës sërish refuzoi kërkesën e shefit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq që ta vizitojë Kosovën.

Bazuar në të dhënat që posedon BE-ja, Stano theksoi se vizita ishte paralajmëruar me kohë dhe procedurat ishin në përputhje me marrëveshjen.

Në anën tjetër, Qëndresa Fazliu nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD) ka thënë për REL se MPJD-ja është e gatshme të rishqyrtojë qëndrimet e saj dhe të aprovojë eventualisht vizitat në të ardhmen.

“..Nëse z. Petkoviq tregon gatishmëri që të përmbahet nga gjuha nxitëse dhe provokuese në raport me qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, tha Fazliu.

Vizita e Miroslav Lajçakut në Prishtinë vjen pas qëndrimit të tij edhe në Beograd ku ishte takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq./REL


Shtuar 24.11.2021 14:10