Kryenegociatori i Kosovës për Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, zhvilloi sot në Bruksel një takim me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ku në qendër të bisedimeve ishte ecuria e vendit drejt anëtarësimit në BE.
Të lidhura
None found
Gjatë takimit, Zulfaj paraqiti përparimin e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, forcimin e institucioneve demokratike dhe zbatimin e reformave të lidhura me procesin e integrimit evropian. Ai riafirmoi përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave themelore të Bashkimit Evropian, si dhe harmonizimin e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë.
Palët diskutuan gjithashtu për zhvillimet në kuadër të Planit të Rritjes, integrimin në “SEPA” dhe përfshirjen në skemën “Roam Like at Home”. Zulfaj theksoi se qeveria po i trajton këto çështje me prioritet.
Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të dorëzuar më 15 dhjetor të vitit 2022. Kryenegociatori falënderoi Komisioneren Kos për angazhimin e saj në procesin e zgjerimit dhe kërkoi mbështetje proaktive nga Komisioni Evropian për dorëzimin e pyetësorit, marrjen e statusit të kandidatit dhe nisjen e negociatave të anëtarësimit.
Zulfaj tha se Kosova i kupton sfidat që shoqërojnë procesin e zgjerimit dhe se do të punojë për t’i përballuar ato gjatë rrugëtimit drejt anëtarësimit në BE.
Ai vlerësoi mbështetjen dhe investimet e Bashkimit Evropian, për të cilat qytetarët e Kosovës janë mirënjohës. Sipas tij, kjo përkrahje është shndërruar në përpjekje për ndërtimin e një shteti me demokraci funksionale, të drejta të barabarta dhe siguri për të gjithë. Zulfaj nënvizoi gjithashtu se BE-ja duhet ta njohë dhe ta vlerësojë angazhimin e qeverisë dhe të qytetarëve për reforma, si dhe mbështetjen e gjerë publike për anëtarësimin në Union.
Në bisedë u përfshinë edhe zhvillimet e fundit, mes tyre ligji i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për Dhomat e Specializuara. Zulfaj shpjegoi rrethanat në të cilat u miratua ky ligj dhe deklaroi se verdikti i 16 shtatorit ishte i padrejtë. Ai tha se pret që vendimi të korrigjohet në shkallën e apelit, ndërsa bëri të ditur se qeveria ka krijuar tashmë një grup punues për hartimin e strategjisë shtetërore.
Kryenegociatori theksoi se Kosova është një demokraci funksionale, me ndarje të pushteteve dhe angazhim të qartë për sundimin e ligjit.
Në përfundim të takimit, Zulfaj falënderoi Komisioneren Kos dhe shprehu gatishmërinë për vijimin e reformave dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet e BE-së në kuadër të procesit të anëtarësimit, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.





