Aktivistja për të drejtat e njeriut, Elsa Ballauri, ka folur për dhunimin e vajzës së re nga Kenia që punonte në një kazino në vendin tonë.
Ajo është shprehur se shteti shqiptar ka përgjegjësi për ngjarjen dhe shtoi se nga mënyra sesi po shkojnë hetimet, ku prej kaq shumë muajsh ende nuk ka autorë të dhunës ndaj saj, tregon se ka njerëz apo institucione që kërkojnë ta zbehin ose ta fshehin ngjarjen.
“Është ngjarje e dyshimtë dhe shteti ka përgjegjësi të madhe. Ka një sërë gjërash që këto institucione kanë dashur të fshehin edhe ngjarje të tjera. Duke ndjekur realitetin shqiptar dhe si funksionon drejtësia, gjëja e parë që të shkon në mend është që ka njerëz që mund të kenë interes për ta zbehur ngjarjen”, tha ajo për News 24.
“Mund të jetë dhe një lloj neglizhence për këtë çështje. Ky është një rast që edhe drejtësia të tregojë se merret me të gjitha çështjet, sepse nuk është thjeshtë një vajzë e huaj që jetonte në Shqipëri, por është femra në vetëvete”, u shpreh Ballauri. /albeu.com