Dënohet me 2 vite burg ish-Sekretari i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj

Gjykata e Tiranës, ka dënuar me 2 vite burgim ish-Sekretarin e Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj. Gjithsesi, ai do t’i shpëtojë qelisë së burgut, pasi dëmnimi i është konvertuar në shërbim prove.

Arlind Gjokutaj, është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “shpërdorim detyre”, teksa akuzohet se bashkë me Drejtorin Juridik Fatmir Hoxha dhe përmbaruesin Alban Ruli, i kanë shkaktuar buxhetit të shteti një dëm prej 1.2 milionë eurosh, duke trajtuar si ish-pronar Ilir Thanën.

Gjithçka nisi pas një kallëzimi të një banke të nivelit të dytë drejtuar Prokurorisë së Tiranës për një kredi të pashlyer, që zbuloi skandalin se si Ilir Thana u shpërblye dy herë për një pronë të blerë në vitin 1992, e cila iu kthye ish-pronarit tre vite më vonë.

Më vendim gjykate, Ilir Thanës ju kthen paratë për blerjen e magazinës në vlerën e çmimit të tregut të kohës.

Më konkretisht, mes shtetasit Ilir Thana dhe Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar, u lidh një kontratë blerjeje për privatizimin e një objekti magazinë nr.2 në vitin 1992.

Pas vendimit të gjykatës së Apelit të Tiranës, kontrata u shpall e pavlefshme dhe palët u kthyen në pozicionin e mëparshëm.

Edhe pse qytetari u pagua në vitin 2015 nga Ministria e Financave, në vitin 2022 pavarësisht kësaj, së bashku me një zyrë përmbarimore nën hetim u krye rivlerësimi duke i vendosur çmimin prej 145 milionë lekë të reja që shteti duhet t’ia paguante sërish. E njëjta ministri i kaloi sërish 480 milionë lekë Thanës dhe të të motrës, duke i sjellë shtetit një dëm të konsiderueshëm.

Arlind Gjokutaj, u arrestua më 11 Janar të vitit 2023, ndërkohë që u lirua më pas nga Gjykata e Apelit.

Arlind Gjokutaj, u emërua si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në tetor të 2021. Më herët, ai ka mbajtur postin e drejtorit të doganave, ka qenë pjesë e Njësisë Speciale të Antikorrupsionit dhe Antievazionit si edhe te Drejtoria e Parandalimit të pastrimit të parave.


Shtuar 17.10.2024 15:31