Deklaratat fyese ndaj magjistratëve, reagon KLGJ: E patolerueshme

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar zyrtarisht ndaj disa deklaratave që sipas tyre janë etiketime dhe aludime fyese dhe jo etike ndaj gjyqtarëve nga palë ose përfaqësues të tyre dhe emisione të transmetuara në media të caktuara.

KLGJ thotë se këto akte cenojnë rëndë figurën e gjyqtarit, pavarësinë e tyre dhe besimin e publikut ndaj sistemit gjyqësor.

Deklarata:

Duke marrë shkas nga disa deklarata me etiketime dhe aludime fyese dhe jo etike ndaj gjyqtarëve nga palë ose përfaqësues të tyre dhe emisione të transmetuara në media të caktuara, Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh opinionit publik shqetësimin për këto akte që cenojnë rëndë figurën e gjyqtarit, pavarësinë e tyre dhe besimin e publikut ndaj sistemit gjyqësor, që nga sa duket kanë marrë shkas nga mosdakordësitë dhe pakënaqësitë për vendime gjyqësore të dhëna nga gjyqtarët gjatë ushtrimit të detyrës.

Si organ i ngarkuar nga Kushtetuta për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, Këshilli i Lartë Gjyqësor sjell në vëmendje të opinionit publik se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton që gjyqtarët janë të pavarur në ushtrimin e funksioneve, i nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve, ndërsa cenimi i reputacionit të gjykatave dhe gjyqtarëve, passjell përgjegjësi sipas ligjit.

Këshilli thekson se dhënia e drejtësisë duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi, ndërhyrjeje apo paragjykimi, nga palët në proces dhe nga subjektet publike ose private, si kusht i domosdoshëm për garantimin e shtetit të së drejtës, ndaj shpreh shqetësimin se deklarata të tilla publike janë të papranueshme në një shtet të së drejtës dhe që ndikojnë negativisht në pavarësinë dhe paanësinë e gjyqtarëve në misionin e tyre për dhënien e drejtësisë.

Qëndrime të tilla nuk bëjnë gjë tjetër, veçse nxisin në publik ndjenjën e armiqësisë ndaj pushtetit gjyqësor, krijojnë imazhin e gabuar mbi gjyqësorin dhe bien ndesh me qëllimet dhe objektivat e reformës në drejtësi, si dhe cenojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarit. Gjithashtu, ato ndikojnë negativisht në ushtrimin e detyrës nga gjyqtarët, duke u bërë presion për dhënien e vendimeve në kundërshtim me bindjet e tyre, në cenim të pavarësisë dhe paanësisë. Në një shtet të së drejtës, mjeti ligjor për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë, ndërsa cilido që vjen në dijeni të një veprimtarie apo sjelljeje të gjyqtarit që mund të përbëjë shkelje disiplinore, duhet t’ia referojë atë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, sipas legjislacionit në fuqi, por në asnjë rast nuk mund të cenohet dinjiteti i gjyqtarit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreh bindjen se respektimi i figurës së gjyqtarëve, i funksionit dhe dinjitetit të tyre, sidomos nga palët në proces, është parakusht për një proces të rregullt ligjor, për një sistem drejtësie efektiv dhe efikas, por edhe për forcimin e shtetit ligjor. Këshilli i Lartë Gjyqësor fton çdo aktor të proceseve gjyqësore ose në shoqëri, të respektojë vlerat thelbësore të një shteti të së drejtësi./albeu.com


Shtuar 16.11.2021 10:21