Dasma që po konsiderohet si një nga eventet më të mëdha të showbizit botëror duket se është shumë më pranë nga sa mendohej. Sipas raportimeve ekskluzive të medias prestigjioze italiane “La Repubblica”, ylli shqiptar me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, dhe partneri i saj, aktori britanik Callum Turner, pritet të martohen këtë fundjavë.
Burimet bëjnë me dije se ceremonia do të zhvillohet mes datave 5 dhe 7 qershor, ndërsa çifti ka organizuar gjithçka në fshehtësi të plotë. Fillimisht përflitej për një datë tjetër, por duket se planet janë ndryshuar në momentet e fundit, duke e afruar ceremoninë shumë më shpejt.
Të lidhura
None found
Për vendin e martesës është përzgjedhur Bagheria, një qytet historik pranë Palermos në Sicili, i njohur për atmosferën romantike dhe arkitekturën aristokratike. Ceremonia kryesore raportohet se do të mbahet në “Villa Valguarnera”, një rezidencë madhështore e shekullit XVIII që konsiderohet ndër vendet më luksoze dhe elegante të zonës.
Për të ruajtur privatësinë e plotë të çiftit dhe të ftuarve VIP, organizatorët kanë marrë masa të forta sigurie. Mediat italiane raportojnë se dy kate të tëra të hotelit luksoz me pesë yje “Rocco Forte” janë rezervuar ekskluzivisht për këtë event.
Ndërkohë, përgatitjet në Sicili kanë hyrë në fazën finale, ndërsa emrat e të ftuarve po mbahen sekret. Dasma pritet të mbledhë personazhe të njohur nga bota e muzikës, filmit dhe modës.
Romanca mes Dua Lipës dhe Callum Turner ka qenë një nga më të komentuarat muajt e fundit në mediat rozë ndërkombëtare. Çifti është parë shpesh së bashku në evente publike dhe pushime luksoze, duke tërhequr vazhdimisht vëmendjen e fansave dhe paparacëve.
Tani duket se historia e tyre e dashurisë po shkon drejt hapit më të madh: martesës.
