DASH thirrje amerikanëve: Mos shkelni në Lazarat, kujdes me udhëtimet në Shqipëri! (FOTO LAJM)

“Rishqyrtoni udhëtimet në Shqipëri për shkak të COVID-19. Ushtroni kujdes të shtuar në Shqipëri për shkak të krimit”.

Kështu thuhet në një udhëzim për shtetasit amerikanë të publikuar nga DASH, ndërsa iu rekomandon që të rishikojnë vendimin për të udhëtuar drejt Shqipërisë, për shkak të rritjes së konsiderueshme të rasteve të reja me COvid-19.

Udhëzimi i DASH doli pasi, Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e ka futur Shqipërinë në vendet me nivel të lartë rreziku për t’u infektuar me koronavirus.

Sipas raportit më të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, raportohen 5792 raste aktive në Shqipëri.

Por ajo që bën më tepër përshtypje në njoftimin e DASH është këshilla për kujdes të shtuar në zonën e Lazaratit për shkak krimit.

“Situata e sigurisë në Lazarat mbetet e luhatshme për shkak të krimit dhe dhunës që lidhet me kultivimin e marijuanës. Policia lokale ka aftësi të kufizuara për të mbrojtur dhe ndihmuar udhëtarët. Qeveria amerikane nuk është në gjendje të sigurojë shërbime emergjente për qytetarët amerikanë në Lazarat, dhe punonjësit qeveritarë e kanë të ndaluar të udhëtojnë aty”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se Lazarati, fshati shqiptar i njohur botërisht për kultivimin e drogës, ka që prej vitit 2014 që është hequr nga harta e zonave që mbjellin kanabis. Gjithsesi, DASH thotë se situata e sigurisë atje është e paqëndrueshme dhe Policia lokale ka aftësi të kufizuara për të mbrojtur udhëtarët./Shqip


Shtuar 24.08.2021 13:26