Dalin pamjet nga “shtëpia e barit” në Tepelenë, momenti kur mësyn policia, çfarë u sekuestrua

Kanë dalë pamjet nga shtëpia e barit, e cila u zbulua në Tepelenë mbrëmjen e djeshme.

Policia njofton se dy persona kishin përshtatur një ambient (banesë të pabanuar), në fshatin Veliqot, për kultivim të bimëve narkotike, nëpërmjet llambave që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Në ambientin e përshtatur u gjetën dhe u sekuestruan 249 bimë narkotike të mbjella në vazo, 25.35 kg lëndë narkotike cannabis sativa, llamba, pajisje ventilimi dhe sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.

Në vijim të veprimeve procedurale, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit: D. Xh., 27 vjeç, banues në fshatin Veliqot (pronari i banesës) dhe E. Sh., 47 vjeç, banues në Sarandë, bashkautor në këtë veprimtari kriminale.

Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 8.05.2024 11:56