Çudira shqiptare, Gjykata e Lartë dënon të vdekurin me burg

Shqipëria është vendi i çudirave, dhe ky lajm që po lexoni është një prove e kësaj që po themi. Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendim “arrest me burg” për shtetasin Saimir Kuçi, i cili është vetëvarur në shtëpinë e tij në datën 20 mars.

Seanca ku është marrë ky vendim është mbajtur në datën 12 prill 2022, më shumë se një muaj pas vdekjes së Kuçi.

Kujtojmë se Kuçi ishte i dyshuar si koka e grabitjes së biznesmenti Nazmi Çangu, në Nikël të Krujës. Ai u gjet pa pa sheja jete në banesë, nga familja e tij.

Anëtari i grupit “Hijet e Natës” ndodhej nën masën e arrest shtëpie në banesën në Yzberisht, pasi gjykata e Apelit të Tiranës e liroi nga burgu në dhjetor të vitit të kaluar.

“U vendos ndryshimi i vendimit Nr.370, datë 10.11.2021 të Gjykates së Rrethit Gjyqësor Kruje duke caktuar si masë sigurimi ndaj personit nën hetim S.K atë të “Arrest në Shtëpi”, parashikuar nga neni 237 K.Pr.Penale. Urdhërohet qëndrimi i personit nën hetim S. K në ambientet e banimit në adresën: Rr. “…..”, Tirane. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim S.K, nëse nuk mbahet për ndonjë vepër tjetër penale”, thuhej në vendimin e Apelit të Tiranës.

Saimir Kuçi u arrestua në nëntor, rreth 2 javë pas grabitjes me dhunë dhe nën kërcënimin e armës të biznesmenit Çangu.

Sipas grupit të hetimit Saimir Kuçi, u identifikua “nëpërmjet ADN-së së fijeve të flokut të gjetura në kapelën që Policia sekuestroi në vilën trekatëshe, si dhe me anë të provave të tjera të mbledhura aty”.

Në seancat gjyqësore ndaj tij, Kuçi aso kohe i ka mohuar akuzat e ngritura duke deklaruar se nuk kishte lidhje me ngjarjen.

Nga kamerat e sigurisë në banesën e Nazmi Çangut rezulton se autorët kanë qenë më shumë se 6 persona dhe gjatë kohës që kryen grabitjen flisnin me kufje me njëri-tjetrin. Të njëjtën deklaratë ka bërë edhe vajza e biznesmenit, e cila ka dëshuar se grabitësit i koordinonte dikush nga jashtë.

Shtuar 3.05.2022 19:52