I penduari i drejtësisë, Artan Tafani, ka dëshmuar në procesin penal ndaj të akuzuarve për veprimtarinë e dyshuar të bandës së Laert Haxhiu, duke rrëfyer episodin e vendosjes së tritolit në një biznes të reperit Noizy.
Sipas dëshmisë së tij në gjykatë, konflikti mes personave të përfshirë ka nisur pas përplasjeve në rrjetin social TikTok, ku janë shkëmbyer ofendime mes Kleviol Ahmetajt dhe Noizyt.
Të lidhura
None found
Në dëshminë e tij, Tafani ka rrëfyer përgatitjet e ngjarjes, përdorimin e tritolit, si dhe mënyrën e vendosjes së tij pranë një objekti biznesi, duke përshkruar edhe lëvizjet e grupit natën e ngjarjes dhe largimin pas shpërthimit.
“Kleviol Ahmetaj me Noizyn janë zënë, janë ofenduar nëpër TikTok. Pastaj ka shkuar në Durrës Klevioli. Laerti i ndiqte në TikTok, e kishte shok Kleviolin. Po diskutonim dhe po thoshte Laerti t’i bënin diçka Noizyt se ka rrahur Kleviolin, t’i vendosnim tritol.
Atë natë mori e ëma Laertin, dhe po e pyeste që pse e goditën Kleviolin. E vunë në sedër, motra dhe e ëma.
Kaloi pak dhe tha, çohuni, vendosini tritol. E bëmë gati. Kishim tritol te shtëpia. E merrnim në Tepelenë. U çuam e bëmë gati, disa 100 gramshe. E izoluam me ngjitës, e bëra unë.
Kishim benzin e zi që e kishim marrë te Palma Nova. Vendosëm targat e një benzi te makina ime. E dinte Lulzim Spahia ku do shkonim. Ai tha ta hidhnim në lokal, në katin e dytë ishin xhamat hapur me karriget aty në shesh, brenda.
Parkova në dalje makinën. Lulzimi ndezi makinën. Nuk po gjeja shkallët. U ktheva prapë te makina, i thashë nuk po gjej shkallët. Lulzimi foli me Laertin. I thashë unë ta vendosnim te dyqani poshtë. E vendosim te dyqani i rrobave thamë. E vendosa, ndeza fitilin dhe ika. E dëgjuam që shpërtheu në ecje. Erdhëm në Astir. Parkuam makinën”, rrëfeu ai në GJKKO.
