Çfarë po ndodh në Kabul? Shtyhet sërish ardhja e afganëve në Shqipëri

Avioni me afganë që pritej të mbërrinte në vendin tonë në orën 17:00 nuk është nisur ende nga aeroporti i Kabulit dhe për këtë arsye ardhja e tyre shtyhet. Ndërkohë që Shqipëria zbrazi konviktet e Qytetit Studenti dhe ka përgatitur gjithçka për pritjen e tyre, gazetari i Top Channel, Muhamet Veliu raporton se afganët nuk janë nisur ende nga Kabuli.

Kjo ka ndodhur sërish për shkak të trazirave në Kabul dhe tensionit që është në aeroport pasi të gjithë kërkojnë të largohen nga vendi. Nëse avioni do të niset në orët në vijim dhe pas 6-7 orësh fluturim mund të mbërrijë në Tiranë rreth orëve të mbrëmjes. Pro, nuk është e sigurtë që kjo gjë do të ndodhë.

“Kontigjenti i parë pritej të mbërrinte rreth orës 17:00 në pjesën ushtarake, por kjo nuk ka për të ndodhur, pasi avioni ushtarak që do t’i sjellë vijon të jetë në aeroportin Hamid Karzai të Kabulit. Ky avion nuk është nisur ende. Nëse ky avion do të niset brenda pak orësh mund të mbërrijë rreth orës 22:00 të mbrëmjes së sotme në Rinas. Janë ngritur 4 çadra që cilësohen si një qendër tranazhi ku afganët do të kontrollohen nga mjekët. Në këto çadra ata do të fotografohen dhe do tu merren shenjat e gishtave pasi shumë prej tyre nuk kanë dokumente identifikuese,”- tha Veliu.

Fillimisht u raportua se afganët do të mbërrinin në Tiranë një natë më parë, por ardhja e tyre u shty për sot, për të njëjtën arsye. Ndërkohë në Rinas janë ngritur 4 çadra që cilësohen si një qendër tranazhi ku afganët do të kontrollohen nga mjekët nëse kanë probleme shëndetësore. Ata do të fotografohen dhe do t’u merren shenjat e gishtave, pasi shumë prej tyre nuk kanë dokumente identifikuese. /tch


Shtuar 18.08.2021 18:50