Burri i gjyqtares Saida Dollani u rrah brutalisht, Shullazi e organizoi nga burgu me Martinajn e ish-deputetin

Një ndër ngjarjet e rënda që ka zbuluar ky operacion i SPAK është dhe rrahja brutale që i është bërë bashkëshortit të gjyqtares së Apelit për Krime të Rënda, Saida Dollani.

Kjo gjyqtare vijon të ushtrojë detyrën e saj në Gjykatën e Posaçme të Apelit, ndërsa burri i saj ka ndërruar jetë.

Ashtu siç ka raportuar Elton Qyno në vitin 2019, edhe në bisedat e SKY të zbardhura nga SPAK, ka rezultuar se organizator i rrahjes brutale dhe më pas vendosjes së pistoletës në gojë të burrit të gjyqtares Saida Dollani, është Emiljano Shullazi.

Policia në atë kohë arrestoi një person, por shumë shpejt ai u lirua dhe më pas çështja për akuzën e “Kanosjes ndaj gjyqtarit” dhe rrahjes së burrit të Saida Dollanit u pezullua nga prokuroria e Tiranës, për mungesë autori.

Megjithëse në raportimet e para dhe dyshimet krijonin bindjen e forta se gjithçka ishte bërë nga brenda burgut me qëllim që Saida Dollani, të jepte dorëheqjen nga procesi penal kundër Shullazit, Gilmando Danit, e 4 personave të tjerë që po zhvillohej në gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.

Sipas dosjes penale të finalizuar tashmë nga SPAK, njerëzit kryesorë që kanë bërë të mundur rrahjen brutale të burrit të Saida Dollanit, janë Emiljano Shullazit, ish-deputeti i PS Arben Ndoka dhe Ervis Martinaj.

Burri i gjyqtares, Saida Dollani denoncoi se u kërcënua me pistoletë në prill të vitit të kaluar, teksa gruaja ishte pjesë e trupës gjyqësore të Emiljano Shullazit dhe grupit të tij.

“…në një moment dola për të pirë një cigare nga një lokal ku isha me një mikun tim. Në atë moment kaloi gruaja ime me një shoqe dhe vajzën e saj, ndërsa pak minuta më pas erdhi një djalë i ri rreth 20-22 vjeç. Ai erdhi direkt me pistoletë në dorë, më rrëzoi në tokë dhe më drejtoi pistoletën në gojë dhe mu drejtua me fjalët ‘ti me atë tët shoqe mos harro se ke dy fëmijët në Francë’. Kërcënimi ka ndodhur për shkak të funksionit të bashkëshortes time si gjyqtare në gjykatën e Apelit për Krime të rënda…”-është shprehur mes të tjerash burri i gjyqtares.

Saida Dollani u largua nga procesi gjyqësor i Shullazit, ndërsa për rastin e kërcënimit nisën hetimet në Prokurorinë e Tiranës.

Por 10 muaj më pas prokurorja Ida Ahmetlli kërkoi pushimin e hetimeve, ndërsa gjykata e kundërshtoi duke e rikthyer për vijimin e hetimeve.

Sërisht çështja nuk mundi të zbardhej duke shkuar drejt pezullimit të saj.

Procesi i Shullazit ngeci në Apel, ku Shullazi dhe grupi i tij apeluan vendimin e shkallës së pare. Dënimi i tyre në Apel u dha pa prezencën e avokatëve mbrojtës, ndërsa çështja tashmë është në gjykatën e Lartë.

Emiljano Shullazi u dënua nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda dhe në Apel me 14 vite burg, ndërsa grupi në total me 55 me për krijim të grupit të strukturat kriminal, gjobëvënie dhe kanosje për shkak të detyrës.

Pjesë e këtij grupi ishin Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endri Zela dhe Endri Qyqja./oranews


Shtuar 18.05.2024 19:44