Bulevardi përpara Kryeministrisë në Tiranë është tejmbushur nga të rinj e studentë, të cilët po protestojnë për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë. Në tubim dëgjohen brohoritje që i kërkojnë Ramës të japë dorëheqjen, krahas thirrjeve për ndryshime politike.
Forca të shumta policore janë vendosur përgjatë Bulevardit, ku tensionet vazhdojnë të jenë të larta. Autoboti i pozicionuar pranë efektivëve lëshon herë pas here sasi të mëdha uji me presion drejt pjesëmarrësve, të cilët nuk po tërhiqen përballë ndërhyrjes policore.
Të lidhura
None found
Kundërshtimi ndaj qeverisë ka nxjerrë të rinjtë në rrugë jo vetëm në kryeqytet. Studentët, pasi kanë bojkotuar mësimin, u janë bashkuar tubimeve edhe në Vlorë, Durrës, Korçë e Shkodër, duke e shtrirë protestën në qytete të tjera të vendit.
Numri i madh i pjesëmarrësve të rinj dhe organizimi i protestave në disa qytete po rrisin trysninë ndaj qeverisë. Kërkesës për largimin e kryeministrit, protestuesit i shtojnë edhe atë për përgjigje ndaj shqetësimeve që kanë ngritur.
Tubimi përpara godinës së Kryeministrisë vazhdon, ndërsa gjendja në Bulevard mbetet e tensionuar.







