BSH: Bien çmimet e apartamenteve, u shtuan edhe kreditë për blerjen e shtëpive

Pas një periudhe dy-vjeçare të karakterizuar nga shtrenjtimi i banesave, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2023 është regjistruar një rënie e çmimit të shitjes për shtëpitë.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe çmimet në rang vendi janë ulur me 7.6% në raport me gjashtëmujorin e parë të vitit.

Veçanërisht për çmimet e pronave të shitura në Tiranë, Banka Qendrore raporton një rënie prej 10% krahasuar me periudhën paraardhëse.

Në kryeqytet një banesë është shitur më shpejt se sa në qytete të tjera të vendit. Sipas të dhënave nga moment i nxjerrjes në shitje një apartament në Tiranë është shitur brenda 8 muajve nga 10 që ishte më parë ndërkohë që në bregdet apo qytete të tjera rezulton se kjo kohë është më e gjatë.

Po ashtu, kredia për individët u rrit me ritme më të shpejta në krahasim me gjysmën e parë të vitit, duke u ngjitur në 270 miliardë lekë në fund të vitit. Kontributin kryesor në rritjen vjetore të kredisë për individët e ka dhënë zgjerimi me rreth 8% I huasë së marrë nga individët për blerje banesash.

“Gjatë 2023 kemi pasur rritje të kredisë, rritje të depozitave, rritje të investimeve në tituj. Aktiviteti i sektorit bankar është zgjeruar me gati 5% në terma vjetorë. Aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet është përmirësuar.

Megjithatë ne vlerësojmë që rreziqet janë gjithmonë të pranishme në vepritmarinë bankare dhe kemi kërkuar prej bankave që të shfrytëzojnë këtë periudhë të favorshme që të forcojnë sistemet e tyre të kontrollit dhe treguesit e qëndrueshmërisë”, tha Klodion Shehu, drejtori i departamentit të stabilitetit financiar.

Banka e Shqipërisë raporton se kredia për blerje banesash në monedhën vendase po rritet me ritme më të shpejta se ajo në monedhën euro.


Shtuar 30.04.2024 20:45