Von der Leyen: BE-ja mbetet e përkushtuar në procesin e shkëputjes graduale nga gazi rus

BE-ja mbetet e përkushtuar për të ndërprerë plotësisht furnizimin me gaz rus, u shpreh gjatë një fjalimi sot presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula Von der Leyen.

Von der Leyen i bëri komentet në një konferencë me gazetarët në Bruksel përpara ditës së 100 të mandatit të saj të dytë në krye të Komisionit të BE-së.

“Unë angazhohem shumë qartë për heqjen graduale të gazit rus … kjo është një domosdoshmëri absolute,” u tha von der Leyen gazetarëve.

“Ajo që ka ndryshuar në këto 100 ditë është ndjenja e re e urgjencës, sepse diçka thelbësore ka ndryshuar. Vlerat tona evropiane, demokracia, liria, shteti i së drejtës, janë nën kërcënim“, tha Von der Leyen.

Ajo tha se sovraniteti, por edhe angazhimet e hekurta, janë vënë në pikëpyetje.

Komentet e saj vijnë pasi liderët evropianë në një samit të enjten mbështetën planet për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen dhe për të vazhduar të qëndrojnë pranë Ukrainës në një botë të përmbysur nga ndryshimi i politikave të SHBA-së nga Trump.


Shtuar 9.03.2025 17:16