Një konflikt fizik mes dy burrash ka shkaktuar frikë dhe shqetësim në bordin e një avioni që po udhëtonte drejt Londrës, ku ndodheshin edhe fëmijë e të moshuar.
Përplasja u regjistrua të mërkurën gjatë një fluturimi të Biman Bangladesh Airlines nga Sylhet, në Bangladesh, drejt Londrës. Një video e filmuar nga një pasagjer tregon dy burrat teksa godasin njëri-tjetrin, ndërsa udhëtarët përreth i ndjekin të alarmuar.
Të lidhura
None found
Në pamje, njëri prej tyre, i veshur me bluzë të zezë, shihet duke goditur një pasagjer që ishte ulur në rreshtin pas tij. Situata përshkallëzohet shpejt dhe kthehet në një përleshje, gjatë së cilës dy burrat shkëmbejnë disa goditje. Në një moment, bluza e njërit prej tyre griset.
Uddin Alim, një prej pasagjerëve në atë fluturim, e cilësoi ngjarjen si një “situatë të tmerrshme”, duke vënë në dukje se në avion kishte edhe fëmijë dhe të moshuar.
Ai tha se udhëtarët e tjerë nuk kishin asnjë përfshirje në konflikt, por u detyruan të përballeshin me frikën e krijuar prej tij. Sipas Alimit, shqetësimi ishte edhe më i madh pasi përleshja ndodhi në një avion mijëra metra mbi tokë, ku askush nuk mund të largohej nga vendi i ngjarjes.
Anëtarët e ekuipazhit ndërhynë për t’i dhënë fund sherrit. Një zëdhënës i Biman Bangladesh Airlines deklaroi se situata u “zgjidh” gjatë fluturimit.
Shkaku i konfliktit mes dy burrave mbetet ende i paqartë. Nuk dihet gjithashtu nëse ndonjëri prej tyre pësoi dëmtime apo nëse u përball me pasoja pas mbërritjes së avionit në Londër.
Kompania ajrore nuk ka bërë të ditura informacione të tjera për incidentin.
