Një 46-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa rreth 15 persona të tjerë vijojnë të jenë të zhdukur ose të pagjetur pas përmbytjeve të menjëhershme që përfshinë Kanionin e Madh në Arizona. Ujërat shkaktuan rrëshqitje dheu, dëme të konsiderueshme dhe evakuime me helikopter.
Trupi i viktimës u gjet të dielën pranë Crystal Rapids, në zonën përgjatë lumit Colorado. Ndërkohë, autoritetet amerikane vazhdojnë operacionet për gjetjen e personave që ende nuk janë lokalizuar.
Të lidhura
None found
Situata detyroi ekipet e emergjencës të nxirrnin me helikopter mbi 60 alpinistë dhe kampistë nga Bright Angel Creek, ku reshjet intensive kishin sjellë vërshime të fuqishme dhe rrëshqitje të tokës.
Dëme të mëdha janë shkaktuar edhe në tubacionin e vetëm që furnizon me ujë të pijshëm disa pjesë të parkut. Për shkak të reduktimit të rezervave ujore, autoritetet do të ndalojnë qëndrimet gjatë natës në disa struktura akomoduese brenda parkut, masë që hyn në fuqi të hënën.
Edhe banorëve të përhershëm u është bërë thirrje që të përdorin më pak ujë. “Këto masa janë jetësore për të garantuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë e burimeve ujore”, deklaroi Shërbimi i Parqeve Kombëtare të SHBA-së.
Parth Desai, një prej dëshmitarëve, rrëfeu se si stuhia shpërtheu papritur mbi kanion. Ai tha se shiu i dendur solli një sasi të madhe uji, baltë, gurë dhe rrëshqitje dheu. Grupi ku ndodhej ai pa një valë uji rreth një metër të lartë, e cila po afrohej duke marrë me vete edhe mbeturina. Për të shmangur rrezikun, alpinistët vrapuan drejt zonave më të larta.
Rrjedha e furishme shkatërroi ura për këmbësorë dhe ndryshoi shtratin e Bright Angel Creek. Shkëmbinjtë dhe mbeturinat e bartura nga përmbytja kanë prekur gjithashtu disa formacione natyrore. Si masë sigurie, shërbimet e parkut kanë mbyllur Bright Angel Campground, North Kaibab Trail dhe Phantom Ranch.
Sipas meteorologëve, brenda vetëm 20 minutash në këtë zonë ranë nga rreth 1 deri në 2.5 centimetra shi. Përmbytjet u përforcuan pasi dy episode të mëparshme të motit të keq e kishin lagur tokën. Me mbërritjen e stuhisë kryesore, toka nuk mundi të përthithte më gjithë ujin, duke shkaktuar vërshime të menjëhershme.
Autoritetet paralajmërojnë se rreziku mbetet aktiv, pasi në zonë priten reshje dhe stuhi të tjera. Ekipet e emergjencës po vijojnë kërkimet për personat e zhdukur.
Kanioni i Madh është një nga destinacionet turistike më të frekuentuara në Shtetet e Bashkuara dhe çdo vit vizitohet nga rreth 6 milionë njerëz.
