Një kapitull i ri ka filluar për ndërtesën ku lindi Adolf Hitleri në Braunau am Inn, në kufirin austro-gjerman, e cila tashmë funksionon si stacion policie, pas vitesh diskutimesh të ashpra mbi fatin e saj.
Të lidhura
None found
Autoritetet austriake e siguruan pronën me anë të një blerjeje të detyruar në vitin 2017, kur ajo gjendej në duar private dhe shërbente si qendër mbështetëse për personat me aftësi të kufizuara. Pas dy vjetësh, u vendos që godina t’i nënshtrohej një rikonstruksioni të plotë dhe të kthehej në seli të policisë.

E vetmja dëshmi e së kaluarës së errët të objektit është një gur përkujtimor i sjellë nga kampi i përqendrimit Mauthausen, i cili qëndron përballë hyrjes dhe mban të gdhendur fjalët: “Kurrë më fashizëm”. Në fasadë, nuk ka asgjë tjetër veç mbishkrimit të thjeshtë “Polici”.
Stefan Mltschoch, drejtues i Departamentit të Historisë në Ministrinë e Brendshme, shpjegoi se objektivi ishte të këputej çdo lidhje me Hitlerin, në mënyrë që ndërtesa të çlirohej përfundimisht nga simbolika dhe mitet që e rrethonin.

Gjatë epokës naziste, shtëpia ishte kthyer në një muze arti, duke ushqyer kultin e personalitetit të diktatorit. Megjithatë, historianët kujtojnë se Hitleri jetoi atje vetëm për disa javë pas lindjes së tij në vitin 1889, para se familja të shpërngulej diku tjetër.

Turistët vijojnë të ndalojnë për të fotografuar godinën, por autoritetet lokale raportojnë se frekuentimi nga grupet neonaziste ka rënë në mënyrë të konsiderueshme vitet e fundit. Në Austri, si përshëndetja naziste ashtu edhe simbolet e tjera të regjimit janë rreptësisht të ndaluara me ligj.
Kryebashkiaku i Braunau am Inn, Johannes Weidbacher, i tha agjencisë Reuters se komuniteti në përgjithësi e ka pranuar funksionin e ri të ndërtesës. Ai theksoi se ishin shqyrtuar edhe alternativa të tjera, përfshirë përdorimin si zyrë administrative apo ambient bamirësie, por stacioni i policisë u vlerësua si zgjidhja më e përshtatshme.

Megjithatë, vendimi nuk ka qenë pa kundërshtarë. Komisioni Mauthausen, që përfaqëson të mbijetuarit e Holokaustit në Austri, argumenton se ndërtesës duhej t’i caktohej një rol më i fuqishëm në edukimin e publikut rreth krimeve të nazizmit.

Përfaqësuesit e kësaj organizate theksojnë se ndërsa në Mauthausen mesazhi “Kurrë më” përcillet çdo vit, në Braunau duket se ka një përpjekje për të minimizuar peshën historike të vendit. Sipas tyre, ndryshimi i destinacionit nuk do t’i ndalë neonazistët që ta vizitojnë, pasi vendlindja e Hitlerit do të mbetet gjithmonë një pikë referimi e njohur ndërkombëtarisht.
Edhe mes banorëve të qytetit, opinionet janë të ndara. Disa do të preferonin që godina të vazhdonte të shërbente për qëllime bamirësie, ndërsa të tjerë janë të bindur se shndërrimi i saj në stacion policie është mënyra më efikase për t’i dhënë fund përdorimit të saj si simbol nga grupet ekstremiste.
