Shtetet e Bashkuara dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po bashkërendojnë politikat e tyre ndaj Iranit, në një kohë kur Uashingtoni po ashpërson presionin ekonomik mbi Teheranin, ndërsa Abu Dhabi ka ndërprerë përkohësisht tregtinë me Republikën Islamike.
Të lidhura
None found
Sipas dy burimeve të cituara nga Axios, Steve Witkoff, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, është takuar në fshehtësi në Sardenjë me Sheikh Tahnoun bin Zayed al-Nahyan, këshilltarin e sigurisë kombëtare të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Shtëpia e Bardhë nuk e bëri publik takimin, i cili u mbajt ndërsa administrata Trump po punon për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe për forcimin e trysnisë ekonomike ndaj Iranit.
Në përpjekjet për të siguruar lëvizjen pa rrezik të tankerëve të naftës nëpër Ngushticën e Hormuzit, Emiratet konsiderohen një partner me peshë.
Pezullimi nga Abu Dhabi i transaksioneve financiare dhe tregtare me Iranin përfaqëson një goditje të konsiderueshme për Teheranin.
Prej vitesh, Emiratet dhe në veçanti Dubai kanë shërbyer si një nyje e rëndësishme për tregtinë dhe rieksportin iranian. Në vitin 2024, shkëmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve kapën vlerën e rreth 28 miliardë dollarëve.
Burimet bëjnë të ditur se ky vendim u nxit kryesisht nga sulmet e Gardës Revolucionare iraniane kundër tankerëve të lidhur me kompaninë shtetërore të naftës së Emirateve, të cilët po tentonin të përshkonin Ngushticën e Hormuzit.
Në të njëjtën kohë, administrata Trump po e shtrin më tej fushatën e saj të presionit ekonomik kundër Teheranit. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka paralajmëruar se vendet, kompanitë dhe individët që vijojnë marrëdhëniet e biznesit me Iranin mund të përballen me masa.
Departamenti amerikan i Thesarit ka vepruar gjithashtu ndaj degëve në Emirate të një banke egjiptiane, për shkak të transaksioneve të kryera me Iranin. Pas kësaj, Banka Qendrore e Emirateve deklaroi se do t’i nënshtrojë këto transaksione një shqyrtimi urgjent.
Paralelisht, ambasadat e SHBA-së kanë marrë udhëzime që t’u bëjnë thirrje qeverive të tjera të ndalojnë tregtinë me Iranin dhe të evidentojnë veprimtaritë që Uashingtoni i cilëson të paligjshme.
Vendet dhe kompanitë që nuk i ndërpresin shkëmbimet tregtare me Iranin rrezikojnë të goditen nga sanksionet amerikane, si edhe të përballen me kufizime në qasjen ndaj sistemit financiar të dollarit.
Për të bashkërenduar zbatimin e kësaj fushate presioni ekonomik mbi Iranin, administrata Trump po krijon një grup pune ndërinstitucional. Në këtë kontekst, takimi i fshehtë në Sardenjë mes Witkoff dhe zyrtarit të lartë të Emirateve vlerësohet si pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për të koordinuar me aleatët si masat ekonomike, ashtu edhe sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
