Turqia ndërpreu të gjitha marrëdhëniet tregtare me Izraelin, Erdogan: Perëndimi do të na sulmojë për këtë vendim

Tayyip Erdogan ka folur për vendimin e Ankarasë për të ndërprerë plotësisht marrëdhëniet tregtare me Izraelin derisa të arrihet një armëpushim në Rripin e Gazës duke thënë se vendi i tij “e di shumë mirë” se si Perëndimi do të marrë një qëndrim armiqësor kundër tij.

“Që nga dje kemi pezulluar transaksionet e eksport-importit me Izraelin për të gjitha llojet e produkteve. Ne do të përballemi me pasojat e këtij hapi, të cilin e kemi marrë në koordinim dhe konsultim me komunitetin tonë të biznesit. Ne nuk kërkojmë armiqësi apo luftë me asnjë vend në rajonin tonë. Ne nuk duam konflikte, gjak dhe lot në gjeografinë tonë. Ne duam të jetojmë së bashku në paqe dhe prosperitet,” i tha Erdogan Shoqatës së Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur të Turqisë.

“Ne kemi marrë disa masa për të detyruar Izraelin të pranojë një armëpushim dhe të rrisë sasinë e ndihmave humanitare që vijnë (në Gaza). Ne do të monitorojmë pasojat e masës që kemi marrë në bashkëpunim me rrethet tona të biznesit” , theksoi gjithashtu presidenti turk.

“Ne e dimë shumë mirë se si Perëndimi do të na sulmojë në lidhje me këtë vendim ,” vuri në dukje ai, duke shtuar se Ankaraja “do të ngrihet dhe do ta dijë se rruga përpara është mënyra e mbështetjes së të shtypurve.”

“Nëse ne nuk i mbështesim këta njerëz sot, kush do të na mbështesë nesër kur të na ndodhë e njëjta gjë… Veprimi i Turqisë do të shërbejë si shembull për vendet e tjera që nuk u pëlqen situata aktuale,” shtoi presidenti.


Shtuar 3.05.2024 21:33