Trump: Pa TikTok, ju mund ta bëni Facebook-un më të madh dhe unë e konsideroj Facebook si armik të njerëzve

Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka folur kundër një projekt-ligji të Kongresit i cili thoshte se do të detyrojë kompaninë e TikTok të shesë aplikacionin ose ta ndalojë në SHBA. Trump, i cili u përpoq të ndalonte TikTok në vitin 2020 ndërsa ishte në Shtëpinë e Bardhë, tha se propozimi do t’i jepte avantazhe të padrejta pronarit të Facebook, Meta.

“Pa TikTok, ju mund ta bëni Facebook-un më të madh dhe unë e konsideroj Facebook si armik të njerëzve. Ka shumë njerëz në TikTok që e duan atë. Ka shumë fëmijë të vegjël në TikTok që do të çmenden pa të,” tha Trump për NBC të hënën.

Trump gjithashtu është pyetur për sigurinë e aplikacionit, ku tha se ka shumë të mira dhe ka shumë të këqija me platformën e mediave sociale. Ai tha se ishte dakord me ata që e shohin TikTok si një kërcënim të sigurisë kombëtare, por argumentoi se Facebook ishte gjithashtu një kërcënim për qeverinë amerikane.

“Unë mendoj se Facebook ka qenë shumë i keq për vendin tonë, veçanërisht kur bëhet fjalë për zgjedhjet”, shtoi Trump.


Shtuar 11.03.2024 21:40