Shtatë emigrantë humbën jetën pasi varka me të cilën udhëtonin u përmbys sot pranë brigjeve të Libisë. Ndërkohë, 50 persona u shpëtuan, ndërsa dy prej tyre ndodhen në gjendje kritike, bëri të ditur OJQ-ja italiane “Emergence”.
Të lidhura
None found
“Ekipi ynë gjeti nëntë persona në varkë. Për shtatë prej tyre nuk kishte më asgjë për të bërë. Dy të mbijetuarit e tjerë janë në gjendje kritike për shkak të asfiksisë”, deklaroi organizata.
Varka e vogël prej druri, e cila ishte e mbingarkuar, u pikas rreth orës 6:00 të mëngjesit. Anija e OJQ-së iu afrua dhe nxori të mbijetuarit, ndërsa operacioni u zhvillua nën vëzhgimin e një varke patrulluese libiane.
Mes personave të shpëtuar ishin 45 burra dhe pesë gra, ndërsa 29 prej tyre ishin të mitur të pashoqëruar. Ata thanë se vinin nga Egjipti dhe Somalia.
Qeveria e kryeministres italiane Giorgia Meloni, e cila drejton partinë e ekstremit të djathtë Vëllezërit e Italisë, erdhi në pushtet në vitin 2022 me zotimin për të luftuar emigracionin e parregullt. Administrata e saj ka lidhur marrëveshje me Tunizinë dhe Libinë për të frenuar nisjet e migrantëve, ndërsa ka kufizuar edhe veprimtarinë e OJQ-ve humanitare.
Të dhënat e Ministrisë së Brendshme tregojnë se që nga 1 janari i këtij viti në Itali kanë mbërritur 17,800 emigrantë. Në të njëjtën periudhë të vitit 2025, numri i mbërritjeve ishte 39,116.
