Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin italian, pasi një çift dhe vajza e tyre 5-vjeçare u gjetën të vdekur në apartamentin e familjes, në zonën e Pietralatës, në periferi të Romës.
Të lidhura
None found
Alarmi u dha rreth mesditës së së hënës, më 31 gusht, kur të afërmit e Luca Abbassiano, 42 vjeç, dhe Valentina Pambianco, 41 vjeç, nuk po arrinin të komunikonin me ta prej disa orësh. Rreth orës 13:00, policia dhe zjarrfikësit mbërritën në banesë, hapën derën me forcë dhe gjetën në shtrat trupat e tre familjarëve.
Autoritetet bëjnë me dije se të tre kishin dëmtime të shkaktuara nga armë zjarri. Versioni paraprak i hetimit është se prindërit kanë vrarë vajzën e mitur dhe më pas kanë kryer vetëvrasje.
Hetuesit gjetën pranë trupave disa letra drejtuar familjarëve dhe personave të afërt. Mesazhet përmbanin kërkimfalje, shpjegime dhe udhëzime lidhur me atë që duhej bërë më tej. Në një prej tyre, Luca i kërkonte motrës së tij, e cila kishte sinjalizuar zhdukjen e familjes, të kujdesej për babanë.
Një tjetër mesazh i lënë nga çifti përmbante fjalinë: “Nuk mund ta bëjmë këtë vetëm.”
Bianca kishte ardhur në jetë para kohe, në vitin 2021. Sipas mediave italiane, vajza kishte aftësi të kufizuara dhe vuante nga probleme të shumta shëndetësore.
Banorët e pallatit u kanë thënë mediave se prindërit ishin shumë të lidhur me vajzën, ndërsa gjendja e saj shëndetësore kishte rënduar ndjeshëm jetën e familjes.
“E donin shumë këtë vajzë të vogël, por ajo lindi me shumë probleme. Ata kishin frikë se nuk do të jetonte gjatë dhe e gjithë kjo po i lodhte shumë”, deklaroi një fqinje.
