Institucionet gjermane janë përfshirë nga kritika të ashpra për trajtimin e çështjes së Abdul Ballout, 21-vjeçarit që dyshohet se kreu sulmin e përgjakshëm pranë Paradës së Krenarisë në Berlin. Ngjarja la të vdekur një grua dhe shkaktoi plagosjen e 29 personave.
Të lidhura
None found
Nga të dhënat e hetimit rezulton se Ballout dyshohet se përdori fillimisht një furgon me qira për të goditur turmën pranë parkut Tiergarten, ndërsa më pas iu vërsul kalimtarëve me hanxhar.
Vetëm pak muaj përpara sulmit, në maj, 21-vjeçari ishte shpallur fajtor për përgatitjen e një akti të rëndë dhune me sfond terrorist dhe ishte dënuar me një vit e dhjetë muaj burg. Sidoqoftë, dënimi iu pezullua, pasi gjykata mori në konsideratë kohën e kaluar prej tij në paraburgim në Liban dhe Gjermani, si dhe pohimet se ishte shkëputur nga organizata terroriste ISIS.
Ky vendim ka nxitur reagime të forta në arenën politike. Drejtuesi i komisionit parlamentar përgjegjës për mbikëqyrjen e shërbimeve sekrete bëri thirrje për masa më të rrepta kundër ekstremistëve, me argumentin se mbrojtja e qytetarëve duhet të vendoset mbi gjithçka tjetër.
Kritika ndaj drejtësisë shprehu edhe kreu i Shoqatës së Policëve Gjermanë, i cili e akuzoi sistemin për tolerancë të tepruar. Ndërkohë, ministri i Brendshëm i Bavarisë e përshkroi si “katastrofik” vendimin për pezullimin e dënimit dhe theksoi se gjyqtarët duhet të ndërgjegjësohen për përgjegjësinë e tyre ndaj sigurisë publike.
